Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Në 10 muaj kanë vdekur 92 persona në aksidentet rrugore

Prizren Post | 14:16 - 17.11.2016

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Prishtinë – E diela e tretë e muajit nëntor shënon Ditën Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor. Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të milionave njerëzve që humbin jetën në aksidentet rrugore, por njëkohësisht edhe mbështetje ndaj familjarëve të viktimave.

Statistikat në Kosovë flasin se rrugët mbesin ende shumë të rrezikshme për vozitësit kosovarë. Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2016, në rrugët e Kosovës kanë ndodhur 15662 aksidente, prej të cilave 92 persona e kanë humbur jetën.

Gjatë periudhës janar–tetor kanë ndodhur 82 aksidente të cilat kanë qenë me fatalitet, nga të cilat 92 persona e kanë humbur jetën.

Po në të njëjtën periudhë, sipas këtyre të dhënave, kanë ndodhur 5231 aksidente të cilësuara më lëndime, nga të cilat 10252 persona kanë pasur lëndime trupore. Në vazhdën e aksidenteve rrugore, në këtë periudhë dhjetë mujore, 10349 janë aksidente të cilësuara më dëme. Policia e Kosovës ka qenë mjaft dorëlëshuar me vozitësit, duke shqiptuar brenda dhjetë muajve 276453 tiketa.

Ndryshe, me rastin e Ditës Botërore për Përkujtimin e Viktimave në Trafikun Rrugor që do të shënohet këtë të diele, Policia e Kosovës dhe një varg institucionesh qeveritare dhe joqeveritare, tashmë kanë filluar disa organizime, përmes të cilave synohet vetëdijesimi i vozitësve për rreziqet dhe problemet në trafikun rrugor. /Telegrafi/


Bëni një koment