Në gjunjë dhe me duar të lidhura, aktivistët e flotiljes “Sumud” ku ndodhet dhe shqiptari Baki Goxhaj keqtrajtohen nga forcat izraelite


E mërkurë, 20 Maj 2026
Në gjunjë dhe me duar të lidhura, aktivistët e flotiljes “Sumud” ku ndodhet dhe shqiptari Baki Goxhaj keqtrajtohen nga forcat izraelite

Aktivistët e flotiljes globale “Sumud” janë filmuar në portin izraelit të Ashdodit teksa shihen të gjunjëzuar, me duar të lidhura dhe të rrethuar nga agjentë të shërbimit të brendshëm Shin Bet, ndërkohë që ministri izraelit i Sigurisë, Itamar Ben Gvir, i ka përbuzur publikisht.

Pamjet kanë shkaktuar reagime dhe polemika të shumta në lidhje me mënyrën e trajtimit të pjesëmarrësve në këtë mision humanitar, i cili ishte nisur nga Turqia me destinacion Gazën.

Mes 430 personave të ndaluar figurojnë edhe 29 shtetas italianë. Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani e kanë cilësuar si “të papranueshme” mënyrën e trajtimit të aktivistëve nga ana e Izraelit, duke kërkuar që pala izraelite të kërkojë ndjesë për “mosrespektimin e kërkesave të qarta të qeverisë italiane”. Ministria e Jashtme italiane ka thirrur ambasadorin izraelit për të dhënë “shpjegime formale”. Sipas raportimeve fillestare, mes të ndaluarve dyshohet se ndodhet edhe një shtetas shqiptar.

Kritika të forta kanë ardhur edhe nga opozita, e cila e ka cilësuar këtë situatë si “një ofendim ndaj dinjitetit njerëzor”. Ndërkohë, mediat italiane raportojnë se organizatorët e flotiljes dhe grupe pro-palestineze kanë shpallur një ditë mobilizimi, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të të ndaluarve dhe duke e denoncuar incidentin si “akt piraterie”.

Flotilja “Sumud” është një nismë me karakter humanitar dhe politik që organizon udhëtime detare nga vende të ndryshme drejt Rripit të Gazës. Qëllimi i saj është të sfidojë bllokadën detare izraelite ndaj Gazës dhe të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare mbi situatën humanitare në atë zonë.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit