Në Kosovë, 73 mjekë specialistë të papunë!


E diel, 20 Mars 2016

Prishtinë – Në Kosovë janë 73 mjekë specialistë, të cilët me vite të tëra janë në pritje të konkursit për një vend pune, pavarësisht se sipas standardeve të OBSh-së numri i mjekëve për kokë banori këtu është më i vogël se në vendet e rajonit dhe të BE-së.

Ndonëse të specializuar në profile të ngushta mjekësore, 73 mjekë specialistë kosovarë dhe nëntë stomatologë janë të kërkim të një vendi pune.

Kjo, pasi Ministria e Shëndetësisë edhe pse ka lëshuar specializime në fusha të ngushta mjekësore, nuk ka bërë planifikim të tillë, që ata mjekë që mbarojnë specializimet ta kenë të sigurt vendin e punës, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Janë 15 specialistë të lëmive interne, të cilët sipas një liste që e posedon edhe Ministria e Shëndetësisë janë duke pritur për punësim. Në listë janë edhe emrat e tetë mjekëve emergjentë të Kosovës, të cilët ndonëse kanë mbaruar specializimin nuk mund të gjejnë një vend pune.
Po aq është edhe numri i biokimistëve që po presin për punësim. Për një vend pune po presin edhe shtatë ortopedë dhe shtatë kirurgë të profileve të ndryshme, përfshirë këtu tre kirurgë plastikë.

Edhe emri i një gjinekologu është në listë të pritjes për vend pune. Janë gjithashtu 4 pediatër, 4 oftalmologë, 4 dermatologë, 4 patologë, 2 alergologë, 2 neonatologë, 2 specialistë të ORL-së, 3 radiologë, 1 onkolog, 1 mjek ligjor, 1 fiziatër, 1 mikrobiolog, dhe 1 specialist i ekologjisë humane që kanë mbaruar specializimet e që po kërkojnë punë.
Një listë tjetër, ndërkaq ka emrat e nëntë stomatologëve që po kërkojnë pas kryerjes së specializimeve të gjejnë një vend pune.

Etiketa: , , ,
Të fundit