Në kuvend pritet miratimi i ligjit për FAK-un


E diel, 4 Maj 2014

FSK

Kuvendi i Kosovës pritet që të hënën të debatojë dhe të vendos nëse do të ketë votat e mjaftueshme për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Pikërisht në kërkim të një kompromisi, liderët politikë të partive kryesore pritet që para seancës së Kuvendit të mblidhen dhe të diskutojnë për këtë çështje.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, shpreh bindjen e tij se në seancën e së hënës nuk do të ketë mungesë të votave sa i takon çështje së themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Sepse, formimi i kësaj force prodhon siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë nacionale”, thotë Grabovci, i cili me siguri foli edhe për votat e komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës.

Ajo çka kërkojnë komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovës, sipas Grabovcit, është vazhdimi edhe për një mandat i vendeve të rezervuara. Por, sipas tij, kjo çështje është e ndarë dhe do të rregullohet me një marrëveshje ndërmjet liderëve politikë.

Nga ana tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, thotë se votat e deputetëve të LDK-së Për ushtrinë janë të sigurta.

“Votat e Lidhjes Demokratike për Ushtrinë janë të garantuara, ndërsa sa i përket vendeve të rezervuar (për komunitete) po ashtu janë e kundërta e garantimit. Nuk i japim votat për vendet e rezervuara, sepse rrezikohet përfaqësimi dhe rrezikohet balancimi i pushteti dhe shtetit të Kosovës”, thekson Gashi.

Mahir Yagcilar, ministër i Ministrisë së Administratës Publike, kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, tha se komunitet turk në Kuvend do të votojë për formimit të Ushtrisë së Kosovës. Ai tha po ashtu se kjo është çështje dhe interes i vendi. Megjithatë, ai kritikon përfaqësuesi institucioneve se për këtë çështje dhe të tjera ka munguar bashkëpunimi dhe koordinimi më komunitetet.

Deputetja Jasmina Zivkovic nga Partia e Pavarur Liberale, shprehet shkurt se ende nuk ka një qëndrim të prerë nëse do të votohet për apo kundër kësaj çështjeje:

“Është ende herët, ndoshta po e ndoshta jo. Çdo gjë mund të pritet”, thotë ajo.

Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse të hënën liderët politikë do të arrijnë ndonjë marrëveshje para seancës së Kuvendit në kërkim të sigurimit të votave të pakicave për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Një kompromis eventual do të mundësonte më pas edhe marrëveshjen për agjendën politike, që përfshinë edhe caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur se pas votimit për FAK-un, deputetët duhet të vendosin për shpërndarjen e Parlamentit. /REL/

Të fundit