E premte, 8 Korrik 2022
PODGORICË – Mijëra qytetarë malazezë u mblodhën të enjten mbrëma në Podgoricë për të protestuar kundër nënshkrimit të një marrëveshjeje që rregullon marrëdhëniet e shtetit të Malit të Zi me Kishën Ortodokse Serbe.
“Nënshkrimi i marrëveshjes nuk është zgjidhje e problemit, por thellim i tij. Me marrëveshjen e propozuar dorëzohen kompetenca të rëndësishme të shtetit të Malit të Zi dhe ne nuk pajtohemi fare me këtë”, tha koordinatori i Iniciativës Qytetare “21 Maj”, Aleksandar Sasha Zekoviq, para protestuesve të mbledhur pranë ndërtesës së Qeverisë së Malit të Zi.
Protestuesit mbanin flamujt kombëtarë dhe të Bashkimit Evropian në duar, si dhe pankarta që thoshin se kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, “do të përgjigjet për keqbërjet e tij”.
Protesta, që u vëzhgua nga policia, kaloi e qetë dhe pa incidente.
Seanca e Qeverisë për këtë marrëveshje, që njihet si Marrëveshja Themelore, është caktuar për të premten, më 8 korrik.
Protesta e së enjtes ishte e treta me radhë, qëkur Qeveria e Malit të Zi publikoi tekstin e marrëveshjes, ditë më parë, njofton REL.
Etiketa: Mali i Zi, Protestë