Në Samadraxhë gjendet një trup i pa jetë


E hënë, 17 Qershor 2013

Të dielën, rreth orës 18:00, policia ka gjetur një trup të pajetë. Dyshohet ai të jetë vrarë me mjetë të mprehta. Për shkak të dekompozimit, identifimi i viktimës ende nuk është bërë ndërkohë policia ka nisur hetimit për zbardhjen e këtij rasti.

“Policia në Suharekë ka pranuar një informatë e cila bënte me dije se në dalje të fshatit Samadraxhë, në rrugën që përshkon vreshtat në drejtim të Rahavecit, është parë një kufomë. Një patrullë policore ka shkuar për ta konfirmuar rastin që rezultoi të jetë i saktë. Më pas, në vendin e ngjarjes kanë dalë hetues rajonal, krim teknika, prokurori i shtetit dhe mjekoligjorët të cilët kanë kryer procedurat hetimore”, thuhet në një komunikatë të policisë.

Sipas saj gjatë shikimit të jashtëm të trupit janë vërejtur plagë që dyshohet të jenë shkaktuar nga mjeti i mprehtë. “Trupi i pa jetë është gjetur i mbuluar me thupra të hardhisë së rrushit dhe është dërguar për autopsi. Hetuesit po e presin raportin e mjekoligjorëve për të konstatuar shkakun e vdekjes, njëkohësisht kanë nisur me hetimin e rastit të cilësuar si vrasje”, thuhet në komunikatë.