E martë, 16 Tetor 2018
Shkup – Në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë u hap dje ekspozita kushtuar diasporës shqiptare ndër shekuj, e titulluar “Unë jam shqiptar”, organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë, Galeria Kombëtare e Maqedonisë dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni.
Ekspozita që ka për tematikë emigrimin e shqiptarëve, përfshin materiale fotografike mbi diasporën shqiptare ndër shekuj. Ekspozita e njëjtë më herët është paraqitur edhe në Tiranë e Prishtinë.
Në hapjen e ekspozitës i pranishëm ishte edhe ministri i Kulturës i Maqedonisë, Asaf Ademi, i cili theksoi se shqiptarët e Maqedonisë nuk mungojnë në këtë ekspozitë ku paraqiten emigrantët shqiptar që kanë kontribuar për popullin shqiptar.
“Kjo ekspozitë, përveç tjerash, është edhe një mirënjohje për kontributit e mërgatës shqiptare të Maqedonisë”, deklaroi Asafi.
Ndërkaq, kryetari i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Skënder Asani tha se ”pa mërgatën shqiptare ne nuk do të kishim ekzistencë në këto troje, troje të cilat kanë qenë gjithnjë synim për t’i marrë dikush tjetër dhe për të bërë një histori krejtësisht tjetër dhe falë kësaj mërgate ne jemi këtu”.
Ekspozita fillon në mënyrë kronologjike me fotografinë e heroit kombëtar, Gjerg Kastriot Skënderbeut, kur edhe filluan valët e para të emigrimit shqiptar. Ekspozita po ashtu përmban fotografi të arbëreshëve të parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut, fotografi të arvanitasve dhe rilindasve shqiptarë.
Fotografia e emigrantit të parë në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar me fotografi nga Sofja, Bukureshti, Kajroja, Stambolli dhe Vjena.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Galeria Kombëtare e Maqedonisë dhe Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në fushën e kulturës.
“Sot konstatoj me kënaqësi që kemi vënë gurthemelin e një bashkëpunimi të rëndësishëm, që do të konkretizohet dhe do të jetë drejtpërdrejt edhe me produkte të tjera kulturore”, tha Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, njoton Koha.
Etiketa: Aktuale, Ekspozitë, shkup, Unë jam shqiptar