E hënë, 6 Shkurt 2023
TIRANË – Në kohën kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar thirrjet për të bërë kujdes ndaj ndikimit të Kinës në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria është bërë vendi i dytë në këtë rajon – pas Serbisë – që ka hequr vizat me shtetin komunist.
Marrëveshja për heqjen reciproke të vizave, e cila është firmosur në mes të muajit janar, do të hyjë në fuqi më 17 shkurt.
Një raport i Qendrës për Analizë të Politikave Evropiane (CEPA), i publikuar në gusht të vitit 2022, ka nxjerrë në pah se “Kina kërkon lidhje më të ngushta me Shqipërinë, në kuadër të projektit gjigant të Partisë së saj Komuniste për të zgjeruar ndikimin e Pekinit dhe për t’u bërë aktor kryesor në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë”.
Presidenti i Universitetit Evropian të Tiranës, Selami Xhepa, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se marrëveshja për vizat do të ndikojë në këtë synim të Pekinit.
“Padyshim që heqja e vizave është një akt mjaft pozitiv në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare me Kinën, përmes reduktimit të kostove dhe barrierave të lëvizjes. Duhet theksuar se këto barriera edhe para liberalizimit të vizave nuk janë raportuar si pengesë, por, sidoqoftë, me heqjen e tyre, supozohet të ketë efekte pozitive”, thotë Xhepa për Radion Evropa e Lirë.
Kina përbën ekonominë e dytë më të madhe në botë, pas SHBA-së.
Me gjithë rënien e aktivitetit ekonomik që ka pësuar gjatë pandemisë COVID-19, ajo ka zgjeruar shtrirjen e saj ekonomike dhe tregtare në të gjitha vendet e botës, përfshirë Shqipërinë, thotë Xhepa.
“Importet e mallrave kineze [në Shqipëri] janë rritur nga rreth 140 milionë euro në vitin 2005, në mbi 600 milionë euro aktualisht, duke shënuar rritje mbi 5.5 herë. Eksportet e produkteve tona drejt Kinës janë rritur gjithashtu, nga rreth 3 milionë euro në rreth 90 milionë aktualisht. Pra, në një periudhë prej gati një dekade e gjysmë, tregtia e jashtme mes dy vendeve është rritur me ritme mjaft të shpejta”, vë në pah Xhepa.
Sipas tij, importet dominohen nga prodhimet e tekstilit, makineritë dhe pajisjet, si dhe produktet e industrisë plastike dhe kimike, ndërsa eksportet i dominojnë produktet minerale.
Kina, aktualisht, është partnerja e tretë tregtare e Shqipërisë – pas Italisë dhe Turqisë.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare në Tiranë, pedagogu Dritan Hoti, thotë se vendimi për heqjen e vizave shkon në favor të Kinës, përkatësisht qëllimit të saj për të rritur varësinë ekonomike të Shqipërisë ndaj saj.
“Heqja e barrierës që përfaqëson sistemi i vizave ndërmjet dy vendeve, favorizon më shumë mekanizmat ekonomiko-tregtarë kinezë, që të qarkullojnë lirshëm në Shqipëri, duke rritur kështu edhe praninë ekonomike, industriale”, thotë Hoti./REL
Etiketa: Ekonomia Shqiptare, Kina, Shqipëria