Në vitin 2015 kishte rënie të incidenteve ndëretnike në veri


E diel, 31 Janar 2016

Prishtinë – Gjatë vitit të kaluar, në veriun e Kosovës janë shënuar më së paku incidente ndëretnike ndërmjet të rinjve, në krahasim me vitet paraprake, vlerësojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës. Ata e konsiderojnë këtë fakt si përparim, duke pasur parasysh mënyrën se si ka funksionuar ose jo ligji në veriun e Kosovës tash e sa vjet.

Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se rastet e raportuara në Polici, si incidente që për motiv kanë pasur urrejtjen etnike, gjatë vitit 2015 kanë qenë vetëm katër sosh.

Ai shton se e rëndësishme është që rastet e tilla janë identifikuar nga Policia dhe disa prej tyre edhe janë parandaluar në flagrancë.

Hoti thekson se pavarësisht angazhimit të Policisë për parandalimin e veprave penale në përgjithësi, në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, një gjë të tillë e bën të vështirë mungesa e mekanizmave që do ta bënin funksionale Gjykatën Themelore në Mitrovicën e veriut.

Në anën tjetër, Aca Mitiq, nga organizata joqeveritare “Aktiv”, vlerëson se sistemi i paplotësuar dhe jofunksional i sundimit të ligjit në veri të Kosovës, lë hapësirë për përhapjen e dukurive devijuese shoqërore.

“Të besuarit në mosndëshkimin e veprave, ndikon si faktor stimulues për rekrutimin e të rinjve për vepra joligjore dhe kjo është e dukshme këtu, në veri. Për këtë arsye, është me rëndësi vendimtare vendosja e sistemit efikas ligjor për mbrojtjen e lirive dhe sigurisë së qytetarëve, jetëve dhe pasurisë së tyre”, thotë Mitiq.

Por, çfarë thonë qytetarët e Mitrovicës së veriut, lidhur me atë se a ndihen të sigurt në qytetin ku jetojnë?

Jovan Petroviq, student, vlerëson se e gjitha varet nga kushtet në të cilat jetojnë të rinjtë.

“Unë ndihem i sigurt për shkak se kam lindur, jam rritur dhe jetoj këtu. Por, është më se e dukshme që ne të rinjtë po rritemi në një atmosferë që nuk është normale. Kaq shumë vite kanë qenë pa sundim të rendit dhe ligjit. E shihni edhe vetë që më nuk ka përplasje ndëretnike si më parë, por ajo pasojë e mos sundimit të ligjit ka sjellë deri te rritja e delikuencës së të miturve në Mitrovicën e veriut”, shprehet Petroviq.

Nikola Pavloviq thotë se jeton në, siç e quan ai, relacionin Nish-Mitrovicë e veriut. I ka dy fëmijë, që studiojnë në Mitrovicën e veriut. Ai thotë se e ka të njëjtën drojë për ta, si në Nish, ashtu edhe këtu.

“T’u them të drejtën, nuk po hetoj ndonjë ndryshim ndërmjet jetës këtu dhe në Nish. Edhe në Nish ka rrahje ndërmjet të rinjve, ka dhunë, plot narkomanë, lokale dhe lagje të dyshimta, sikur gjithkund tjetër. Madje, mendoj se këtu, në Mitrovicën e veriut, situata është e shkëlqyer, duke pasur parasysh aq shumë vite të mungesës së sundimit të ligjit”, thekson Pavloviq.

Megjithatë, në fund të javës së kaluar, në Komunën e Mitrovicës së veriut kanë ndodhur dy incidente, brenda 12 orëve, ndonëse ato nuk kishin prapavijë ndëretnike, kanë theksuar zyrtarët e Policisë së Kosovës. Incidenti më i rëndë ka ndodhur më 24 janar, rreth orës 21: 30, në qendër të qytetit, kur dy të rinj serbë janë plagosur. Ditën e ardhshme, në orët e mëngjesit, është plaçkitur një bankë në Mitrovicën e veriut. /REL/

Etiketa: ,
Të fundit