Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Në zonat shqiptare të prekura nga përmbytjet të lëna në harresë nga institucionet maqedone

Prizren Post | 09:15 - 09.08.2016

Shkup – Moti i keq i mbrëmjes së 6 gushtit i shoqëruar me stuhi dhe erëra të forta, që përfshiu Maqedoninë veri-perëndimore, më shumë shkaktoi pasoja në vendbanimet e rrethinës së Shkupit. Si pasojë e reshjeve u shkaktua përmbytje, ku humbën jetën 21 persona, u ndërpre energjia elektrike, si dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale.

Pamjet e Anadolu Agency (AA) tregojnë se në vendbanimet më të prekura nga përmbytjet, siç janë Hasanbegu dhe Stajkovci, në pjesën ku jetojnë maqedonasit është siguruar ndihmë institucionale, si ndihmë në ushqim, mekanizëm për pastrimin e terrenit dhe ndihmë mjekësore, ndërsa në pjesën ku jetojnë shqiptarët situata u është lënë në dorë banorëve.

Disa organizata joqeveritare të tilla si “Nun”, “Vllaznia”, “Merhamet”, “Kalliri i Mirësisë”, si dhe aktivistë të Forumit Rinor Islam, mundohen që të ofrojnë ndihmë për banorët e Hasanbegut me ushqim dhe me riparimin e dëmeve, mirëpo pamjet mbeten pothuajse të njëjta sikurse mëngjesin e parë pas përmbytjeve.

Ndërkohë, përfaqësues të Agjencisë Turke për Koordinim dhe Zhvillim (TIKA) gjatë ditës së sotme vizituan vendbanimet e prekura nga përmbytjet, me qëllim që të shikojnë nga afër situatën dhe të njihen me nevojat e banorëve.

Safer Amedovski, një banor nga Hasanbegu i cili thekson se natën e përmbytjeve qëndroi në kulm për të shpëtuar jetën e tij dhe të familjes, tregon se deri më tani askush nuk i ka zgjatur dorën për t’i ndihmuar. Ai shtoi se që nga dita e sotme ai personalisht bashkërisht me disa fqinjë të tij janë angazhuar në sanimin e dëmeve.

“Atë natë kur ndodhën përmbytjet ne u ngjitëm në kulm dhe thirrëm policinë, por askush nuk erdhi të na ndihmojë. Faleminderit prej Zotit u ul niveli i ujit, se nuk kishte ndihmë tjetër. Ne jemi të papunë dhe nuk ka kush të na ndihmojë. Kështu që, vet bashkërisht me fqinjët jemi angazhuar për të pastruar këto dëme”, u shpreh Amedovski.

“Shtëpitë janë në gjendje shumë të keqe. Me këtë katastrofë jemi kthyer 50 vite prapa. Ne jemi angazhuar vet të pastrojmë, nga shteti deri më tani nuk kemi pasur asnjë ndihmë. Vjen policia dhe vetëm pyet se si jemi… Kush të ketë mundësi ju lutem të na ndihmoni”, u shpreh Ridvan Aliu nga Hasanbegu.

“Dëmet janë shumë të mëdha, por fal Zotit në familjen time nuk kemi viktima. 6 persona i varrosëm pak më herët. Unë jam 73 vjeçar, kështu uji nuk kam parë, mirëpo çfarë vjen nga Zoti le të jetë e mirëseardhur”, u shpreh një banorë i moshuar i Hasanbegut.

Ndërkohë nga Sofja e Bullgarisë është dërguar një ekip prej 7 personash të cilët mundohen të ndihmojnë personat e prekur nga përmbytjet. Krasimir Dimitrov, njëri nga përgjegjësit e këtij ekipi bëri të ditur se janë dy ekipe të specializuar shpëtimi, ndërsa theksoi se institucionet maqedonase u kanë dhënë detyrë të kërkojnë një vajzë të zhdukur 11 vjeçare me pajisjet speciale të cilët i posedon ekipi.

“Ndihmojmë personat të cilëve u nevojitet ndihmë, përpiqemi të riparojmë dëmet, ndërsa në këtë rrugicë ndodhemi për të tërhequr ujin nga shtëpitë. Deri më tani nga 27 shtëpi kemi tërhequr ujin“, u shpreh Dimitrov.

Ndryshe nga Hasanbegu, në Stajkovci situata është më e qetë. Në secilin skaj vërehen pajisje të ndryshme për sanimin e dëmeve dhe mjete për tërheqjen e ujit nga shtëpitë. Poashtu të pranishëm janë anëtarë të shumtë të policisë, Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM), Kryqit të Kuq dhe ministra të Qeverisë së Maqedonisë, ndër të cilët edhe ministri i Financave dhe ai i Punës dhe Çështjeve Sociale, Kiril Minovski dhe Dime Spasov.

“Sot jemi këtu me qytetarët e Stajkovcit të tregojmë solidaritetin tonë dhe njëkohësisht të ndihmojmë në zgjidhjen e pasojave të kësaj katastrofe natyrore. Edhe ne si ministra në Qeverinë e Maqedonisë do të jemi të pranishëm këtu deri sa të riparohen dëmet”, tha Minovski për AA.


Arivisti Company