E premte, 20 Shtator 2013
Gjermania hartoi një listë të kërkesave për rrugën e Serbisë drejtë BE-së, të cilat i mbështet Britania e Madhe. Në mesin e kushteve përfshihet edhe Kosova.
Sipas ditores serbe Novosti, katër kushtet kryesore të pakos gjermane janë:
– që krahas Kapitullit 23 dhe 24 të hapet Kapitulli 35 (Kosova) dhe që këto tri pika të mbyllen të fundit.
– që të zbatohen të gjitha pikat e Marrëveshjes së Brukselit dhe që Beogradi, vazhdimisht në terren, të dëshmojë se nuk do të pengojë Prishtinën në procesin e integrimit evropian.
– që Beogradi dhe Prishtina të nënshkruajnë një marrëveshje mbi marrëdhëniet e mira fqinjësore para anëtarësimit të plotë në BE.
– që bisedimet (për anëtarësim të Serbisë në BE – v.j.) të pezullohen në çdo moment, nëse Beogradi heziton apo ndërpret zbatimin e detyrimeve të saj.
Pesë pikat tjera pak a shumë kanë të bëjnë me Deklaratën për Serbinë, të cilën Bundestagu gjerman e miratoi më 27qershor, ku kërkohet suksesi i zgjedhjeve lokale (në Kosovë), eliminimi i plotë i strukturave paralele, lëvizja e lirë e doganierëve të Kosovës, vazhdimi i reformave gjyqësore dhe lufta kundër korrupsionit, pajtimi në rajon dhe përparimi i dukshëm në zbulimin dhe ndjekjen e akterëve të djegies së Ambasadës gjermane më 2008.
Dokumenti gjermano-britanik, është përcjellë tek shtetet anëtare të BE-së dhe aktualisht diskutohet në Këshillin e Evropës.
Ekzistencën e kësaj iniciative gjermano-britanike e vërtetoi për Novosti, Andreas Schockenhoff, zyrtar i CDU-së, i cili ka thënë se Serbia ende nuk i ka përmbushur kushtet për fillimin e negociatave.
Zëvendëskryeministri i parë Serbisë, Aleksandar Vucic, i është përgjigjur duke thënë se “Serbia ka bërë disa gjëra që Schockenhoff me sa duket nuk i di, dhe për ato pak gjëra nuk janë përmbushur fajtor nuk është Beogradi”.
Ministri i Jashtëm serb, Ivan Mrkic, ka thënë se Qeveria e Serbisë është përqendruar në normalizimin e situatës në Kosovë dhe në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, dhe se mesazhet që vijnë nga Berlini nuk i sheh si kushte të reja ose kërcënimeve!
Etiketa: Angela Merkel, Gjermania, Serbia