Nëse nuk ka marrëveshje për presidentin, zgjedhjet në janar


E diel, 13 Dhjetor 2020

PRISHTINË – Marrëveshja e 4 shtatorit për normalizim ekonomik me Serbinë, e arritur në Uashington, do të zbatohet edhe pas ndërrimit të administratës amerikane. Kështu po thotë ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, i cili shton se për Autostradën e Paqes, Besi-Merdare tashmë kanë bërë kërkesë zyrtare në BERZh për financimin e ndërtimit dhe pritet të nis në pranverë.

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Abrashi në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se nëse nuk ka dakordim të shpejt mes partive politike për emrin e presidentit, vendi do të shkojë në zgjedhje në janar.

“LDK-ja ka një organizim të mirëfilltë nëpër degë dhe nëndegë nëpër komuna. Kryetari Mustafa e ka bërë të qartë që në qoftë se nuk ka zgjidhje shumë shpejt, gjatë fillim janarit ne duhet të përgatitemi ose po rrëshqasim drejt zgjedhjeve, sepse ato duhet të përfundojnë më herët në mënyrë që vendi të mos mbetet pa president, pasi ushtruesja e detyrës e ka një afat gjashtëmujor. Kështu që do të shfaqeshin problemet se kush do t’i certifikojë zgjedhjet, por edhe problemet e tjera që mund të lindin nga jo stabiliteti politik”, thotë Abrashi.

Ministri Abrashi nuk beson se do të dështoi marrëveshja 16 pikëshe mes Kosovës e Serbisë e arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, që parasheh një sërë projektesh ekonomike, si ndërtimi i autostradës, i linjës hekurudhore dhe nisja e fluturimeve Prishtinë-Beograd. Studimi i fizibilitetit në Liqenin e Ujmanit, si dhe futjen në “Mini-Schengen”.

“Nuk e besoj. Ne mbajmë kontakte të vazhdueshme, diskutojmë për Autostradën e Paqes, diskutojmë edhe për projektet sikurse hekurudhat. Deri më tani secili nivel politik qoftë zyrtarë të DFC-së në Uashington, kemi pasur takime virtuale. Kanë konfirmuar që marrëveshja do të mbetet si e tillë që të zbatohet. Janë duke punuar fuqishëm në zbatimin e asaj marrëveshje dhe projekteve”, thotë ai.

Ministri Abrashi beson se zotimi i marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington për projektet infrastrukturore ka një bashkëpunim dhe një qasje të përbashkët mjaft të mirë mes BERZH-it, Brukselit dhe Uashingtonit.

Etiketa: , , ,
Të fundit