E enjte, 22 Shtator 2016
Ankara – Zëdhënësi i Presidencës së Republikës së Turqisë Ibrahim Kalin paralajmëroi se organizata terroriste FETO, nuk paraqet kërcënim vetëm për Turqinë dhe SHBA-të, por edhe për të gjitha vendet ku ajo operon, raporton Anadolu Agency.
Në një deklaratë për televizionin TRT Haber, zëdhënësi Kalin tha se fjalimi i presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York ishte një lloj i zërit të arsyes dhe ndërgjegjes së gjithë njerëzimit.
Duke kujtuar se Erdoğan në këtë rast vëmendje të veçantë i kushtoi tentimit të grusht shtetit ushtarak në Turqi, Kalin tha se kjo ishte një goditje e ashpër ndaj demokracisë, e cila u pengua me kryengritjen e guximshme të popullit. Ai shtoi se lufta kundër organizatës terroriste FETO, e cila qëndron pas tentimit të grusht shtetit, është një hap i rëndësishëm i luftës globale kundër terrorizmit.
Kalin tha se terrorizmi është një problem global dhe një kërcënim për paqen dhe sigurinë globale, ndërsa për të luftuar këtë problem nevojitet bashkëpunim dhe unitet në mbarë botën.
“Turqia njëkohësisht është duke luftuar kundër tre organizatave terroriste. E para është DAESH-i, e cila është problem për të gjithë botën por edhe në Turqi, e dyta është PKK-ja dhe e treta është FETO, e cila ka tentimin e përgjakshëm të grushtit të shtetit ushtarak më 15 korrik në Turqi”, tha Kalin, duke shtuar se asnjë vend tjetër në botë, me një pozicion të tillë të rëndësishëm gjeopolitik në të njëjtën kohë nuk merret me kaq shumë grupe terroriste.
– Kalin: Kërkesa jonë është që Gylen të ekstradohet direkt në Turqi –
Duke komentuar edhe rreth kërkesës së Turqisë ndaj SHBA-ve për ekstradimin e udhëheqësit të organizatës terroriste FETO, Fetullah Gylen, Kalin tha se ekstradimi dhe fillimisht arrestimi i tij janë proces ligjor që është në vazhdim.
Ai theksoi se autoritetet kompetente turke më parë autoriteteve amerikane u kanë dërguar dokumentacione në lidhje me aktakuzat e mëparshme kundër Gylenit, dhe se pas tentimit të grusht shtetit u kanë dërguar dosje të re. Kalin tha se ky është një proces por se nuk duhet të injorohen aspektet sociale dhe politike dhe pasojat e mundshme të këtij rasti.
Në pyetjen e gazetarit në lidhje me pretendimet e disa qarqeve rreth ekstradimit të mundshëm të Gylenit nga SHBA-të në një vend të tretë, Kalin tha se Gyleni është shtetas turk dhe se Turqia ka kërkuar ekstradimin e tij direkt për akte të kryera në Turqi.
“Ne gjatë gjithë procesit kemi kërkuar ekstradimin direkt në Turqi, jo diku tjetër. Prandaj, ata që sjellin vendime në SHBA duhet të ulen dhe të rishqyrtojnë çështjen mirë. Nëse ata vendosin për të humbur bashkëpunimin me një shtet siç është Turqia, kjo do të ketë pasoja serioze dhe afatgjate”, paralajmëroi Kalin.
Kalin gjithashtu tha se i gjithë komuniteti turk pajtohet se tentimi i grusht shtetit ushtarak ishte vepër e organizatës terroriste FETO dhe se mospërfillja e këtij fakti nga SHBA-të tregon se nuk ata nuk kuptojnë shoqërinë turke.
“FETO nuk është kërcënim vetëm në Turqi dhe SHBA. Kjo organizatë mund ti infiltrojë ndjekësit e saj në institucionet dhe të nisë fushatë të ngjashme në të gjitha shtetet në të cilat operon”, tha zëdhënësi i presidencës turke Kalin.
– Dora e miqësisë turke vazhdon të jetë e zgjatur për refugjatët sirianë –
“Turqia nuk është vendi më i pasur në botë, as nuk është në mesin e më të pasurve, por është shteti që aktualisht po kujdeset për numrin më të madh të refugjatëve në botë. Turqia është e para në botë sa i përket ndarjes së ndihmave për refugjatë në raport me të ardhurat kombëtare bruto për kokë banori”, tha Kalin.
Duke theksuar se Turqia nuk është duke i ndihmuar vetëm refugjatët sirianë, por të gjithë njerëzit e shtypur në botë, Kalin u bëri thirrje liderëve të botës që të zgjedhin krizën e refugjatëve dhe migrantëve duke iu qasur nga aspekti njerëzor, dhe jo vetëm nga aspekti i kostove ekonomike.