E premte, 20 Shtator 2013
Moskë, 20 shtator – Presidenti rus, Vladimir Putin e paralajmëroi Ukrainën me vendosjen e masave proteksioniste, nëse qeveria në Kiev nënshkruan marrëveshje tregtare me Bashkimin Evropian.
Putin i sugjeroi Ukrainës që në vend të asaj të hyjë në unionin doganor të kryesuar nga Rusia. Paralajmërimi i presidentit rus vjen vetëm 24 orë pas kumtimit të qeverisë ukrainase, për vendimin e saj që të vazhdohet puna rreth përgatitjeve të Ukrainës për ta nënshkruar marrëveshjen me BE-në, në nëntor të këtij viti, gjatë samitit të Unionit në Lituani.
Sipas Putinit, Rusia do të kundërpërgjigjet me masa të ashpra nëse tregu rus vërshohet me mallra konkurrente evropiane, si pasojë e marrëveshjes me BE-në, sipas të cilës Ukraina do t’i heqë të dhënat importuese për prodhimet nga vendet e Unionit.
Kryeministri rus, Dimitri Medvedev gjithashtu e kritikoi qëllimin e Kievit për afrim drejt BE-së dhe vendimit të Ukrainës për t’i braktisur, siç tha, “lidhjet ekonomike tradicionalisht të afërta me Rusinë”, e cila tani është partnerja më e madhe tregtare e Ukrainës.
Paraprakisht, kryeminsitri i Ukrainës, Mikola Azarov, të mërkurën deklaroi se marrëveshja e planifikuar tregtare me BE-në “i hap perspektivat për cilësinë evropiane të jetës” për Ukrainën. Ky vend i madh, ish-republikë sovjetike, ndodhet e shtrënguar ndërmjet Rusisë dhe BE-së.
Etiketa: Rusia, ukraina, Vladimir Putin