Nesër Kuvendi rishqyrton Ligjin për Specialen, thirret edhe seancë e re


E mërkurë, 18 Nëntor 2026
Nesër Kuvendi rishqyrton Ligjin për Specialen, thirret edhe seancë e re

Kuvendi i Kosovës ka caktuar dy seanca plenare për ditën e enjte. Seanca e parë do të nisë në orën 10:00, ku do të vazhdohet seanca e mbetur përgjysmë të premten e kaluar, ndërsa seanca e re është caktuar për në orën 11:00.

Në seancën e parë janë paraparë tri pika të rendit të ditës, përfshirë edhe rishqyrtimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili i është kthyer Kuvendit nga Presidentja e Kosovës.

Pikat e rendit të ditës në seancën e orës 10:00:

Votimi i Propozim-Rezolutës nga interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.

Votimi i Propozim-Rezolutës nga mocioni përmbajtjesor për gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Rishqyrtimi i Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të rikthyer nga Presidentja e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, seanca e re, e cila do të nisë në orën 11:00, përmban 12 pika të rendit të ditës.

Pikat e rendit të ditës në seancën e orës 11:00:

Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme.
Deklarimet jashtë rendit të ditës.
Pyetjet parlamentare.
Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e emergjencës për furnizimin e energjisë, nr. 03/11, datë 16.11.2026.
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-028 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-020 për Efiçiencë të Energjisë.
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-023 për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Procedimi i nismave legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Emërimi i anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës.
Zgjedhja e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet jo shumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës.
Rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit