Nga Brixhida Muça: Ne, bija të kësaj toke!


E diel, 9 Gusht 2026
Nga Brixhida Muça: Ne, bija të kësaj toke!

Për ju që, sa herë shihni një grua me shami, nxitoni ta quani “iraniane”, “arabe”, “islamike” apo me çdo etiketë tjetër për ta përjashtuar nga ky komb, kam vetëm një pyetje:

Kush ju dha të drejtën të vendosni se kush është shqiptar e kush jo? Kush ju emëroi rojtarë të shqiptarisë?

Shqiptaria nuk është pronë e askujt. Nuk është patentë që e lëshojnë militantët, as certifikatë që e firmosin paragjykuesit. Askush nuk ka monopol mbi identitetin kombëtar.

Ky nuk është mendim i lirë. Është produkt i një propagande të gjatë që për dekada ka ushqyer përçmimin ndaj besimit dhe ka krijuar bindjen e rreme se një besimtar qenka më pak shqiptar. Disa e përhapin me vetëdije, të tjerë e përsërisin pa e kuptuar se janë bërë zëdhënës të një mendësie përjashtuese.

Ne nuk kemi ardhur nga Irani. Nuk kemi ardhur nga Arabia. Kemi lindur në Shqipëri. Këtu kemi hedhur hapat e parë. Këtu kemi mësuar gjuhën shqipe. Këtu kemi ndërtuar familjet tona. Këtu prehen gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë. Ne jemi bija të kësaj toke dhe rrënjët tona nuk i shkul dot askush.

Shamia nuk na e ndryshon gjakun. Nuk na e ndryshon gjuhën. Nuk na e ndryshon historinë. Nuk na e heq dashurinë për flamurin, për kombin dhe për këtë vend. Nuk na e heq të drejtën të flasim, të kontribuojmë dhe të kërkojmë drejtësi.

Le ta themi pa dorashka: problemi juaj nuk është shamia. Problemi juaj është se nuk e pranoni dot që një grua besimtare mund të jetë njëkohësisht e lirë, e arsimuar, aktive dhe krenarisht shqiptare.

Komunizmi vrau, burgosi, internoi dhe persekutoi besimtarë të çdo feje. Mbylli xhami, kisha e teqe, sepse synonte të zhdukte fenë nga shoqëria. Nuk ia doli. Besimi mbijetoi. Ajo që mbeti ishte helmi i paragjykimit ndaj çdo simboli fetar. Prandaj edhe sot, për disa, një grua me shami trajtohet si e huaj në vendin e saj.

Ironia është se shumë prej atyre që flasin më shumë për patriotizëm, dinë më pak histori. Nuk dinë se shqiptarët myslimanë, katolikë, ortodoksë e bektashinj kanë luftuar krah për krah për këtë tokë. Nuk dinë se besimtarët kanë ndërtuar shkolla, kanë mbrojtur gjuhën shqipe, kanë kontribuar në kulturë, në pavarësi dhe në mbijetesën e identitetit kombëtar.

Është e lehtë të bërtasësh “atdhe” në rrjetet sociale. Më e vështirë është të respektosh bashkëkombësin tënd vetëm sepse beson ndryshe ose vishet ndryshe.

Mos e ngatërroni laicitetin me urrejtjen ndaj fesë. Shteti laik nuk i përjashton besimtarët; i mbron ata njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë. Liria juaj për të mos besuar mbaron aty ku fillon e drejta ime për të besuar.

Prandaj, para se të fyeni një grua me shami, mendohuni mirë. Mund të jeni duke fyer bijën e kësaj toke, mbesën e një familjeje që ka sakrifikuar për këtë vend po aq sa familja juaj. Mund të jeni duke fyer një mjeke, një pedagoge, një mësuese, një sipërmarrëse, një studiuese, një nënë që i shërben këtij vendi çdo ditë.

Ne nuk kemi nevojë për lejen tuaj që të jemi shqiptarë. Shqiptaria nuk matet me modelin e flokëve, por me rrënjët, karakterin, kontributin dhe dashurinë për atdheun.

Ne nuk do ta heqim shaminë që t’ju bindim se jemi shqiptare. As nuk do të heqim dorë nga shqiptaria për të ruajtur shaminë. Nuk kemi pse zgjedhim mes besimit dhe atdheut, sepse të dyja jetojnë në zemrën tonë.

Ju mund të na etiketoni. Mund të na ofendoni. Mund të përpiqeni të na përjashtoni. Por nuk mund ta ndryshoni të vërtetën.

Ne kemi lindur shqiptare. Do të jetojmë shqiptare. Do të vdesim shqiptare. Ky është vendi ynë. Ka qenë i të parëve tanë, është i yni dhe do të mbetet edhe i fëmijëve tanë.

Askush nuk ka të drejtë të na përjashtojë nga shtëpia jonë.

Kjo është e drejtë e Zotit që e  përcakton ku ne lindim ,dhe me zemrën  tonë kujt i bindemi.


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit