Nga Jeremy Corbyn: Unë përballë izraelit


E premte, 11 Shtator 2026
Nga Jeremy Corbyn: Unë përballë izraelit

Gjatë jetës sime kam pasur privilegjin ta vizitoj Palestinën në disa raste. Kam parë me sytë e mi atë që palestinezët përjetojnë çdo ditë. Pika kontrolli pa fund. Kulla vrojtimi të mbikëqyrura nga ushtarë. Arrestime arbitrare. Kolonë të dhunshëm.

Kjo është realiteti i përditshëm i aparteidit, i cili përcakton se kush mund dhe kush nuk mund të lëvizë lirshëm. Kështu funksionon pushtimi izraelit, duke ua mohuar të pushtuarve çdo formë autonomie. Ky është ritmi i përditshëm i jetës palestineze.

Në Gaza, pushtimi izraelit kontrollon pjesën më të madhe të asaj që hyn dhe del nga territori. Bllokada e paligjshme ka shkaktuar uri masive dhe zhvendosjen e palestinezëve.

Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz në botë janë ndërgjegjësuar për atë që po ndodh në Gaza dhe e kanë cilësuar atë si gjenocid, Izraeli u ka mohuar gjithashtu hyrjen hetuesve të OKB-së dhe gazetarëve ndërkombëtarë – një përpjekje e hapur për të penguar botën të mësojë përmasat e plota të krimeve të luftës të kryera prej tij.

Nuk duhet të harrojmë as mijëra refugjatë palestinezë të cilëve ende u mohohet e drejta për t’u kthyer në vendlindje. Ky është skandali i vërtetë.

Vendimi i qeverisë izraelite për të më ndaluar mua dhe 10 deputetë të tjerë britanikë të hyjmë në vend, na dha vetëm një shembull të vogël të autoritarizmit ndaj të cilit palestinezët përballen çdo ditë.

Unë nuk do të humbas gjumin për faktin se Izraeli më dënon apo më kritikon. Ajo që dënoj është trajtimi i neveritshëm që u bëhet palestinezëve dhe mohimi i lirisë së lëvizjes së tyre.

Ajo që dënoj është edhe refuzimi i hyrjes për hetuesit e OKB-së dhe gazetarët, duke i mbrojtur autoritetet izraelite nga përgjegjësia për krimet që lidhen me aparteidin, pushtimin dhe gjenocidin.

Në fakt, ky ndalim ka të bëjë me pengimin e deputetëve britanikë për të vizituar Gazën dhe Bregun Perëndimor dhe me ndalimin e botës për të parë se çfarë po ndodh atje. Vendimi i qeverisë izraelite na tregon gjithçka që duhet të dimë.

Na tregon se Izraeli nuk dëshiron që bota të njohë të vërtetën. Na tregon se Izraeli po përdor masa gjithnjë e më absurde dhe të dëshpëruara, ndërsa po e humbet mbështetjen në mbarë botën.

Mbi të gjitha, na tregon se nuk duhet të heqim dorë nga përpjekja jonë për të kërkuar të vërtetën, përgjegjësinë dhe drejtësinë.

Izraeli mori vendimin për të na ndaluar si kundërpërgjigje ndaj vendimit të mirëpritur të qeverisë britanike për të vendosur sanksione ndaj mallrave të prodhuara në vendbanimet e paligjshme.

E drejta ndërkombëtare është e qartë. Në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se prania e Izraelit në territoret palestineze ishte e paligjshme dhe përcaktoi detyrime për Mbretërinë e Bashkuar që të mos ndihmojë apo mbështesë këtë prani të paligjshme.

Ndalimi i mallrave nga vendbanimet është një masë që është dashur të merret prej kohësh. Ai pasqyron kundërshtimin në rritje ndaj dhunës së mbështetur nga shteti nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve në territoret e pushtuara.

Reagimi histerik i atyre që e kundërshtojnë këtë masë, tregon shkallën e pandëshkueshmërisë që Izraeli ka gëzuar deri tani. Tek e fundit, ky vendim është një hap i parë drejt përmbushjes më në fund nga qeveria britanike të detyrimeve të saj ligjore. Por këto detyrime shkojnë përtej mosmbështetjes së vendbanimeve të paligjshme.

Çdo paketë kuptimplotë sanksionesh, duhet të pranojë se të ashtuquajturat “mallra të vendbanimeve” janë të integruara në ekonominë më të gjerë izraelite. Kjo do të thotë t’i jepet fund të gjithë tregtisë dhe çdo forme mbështetjeje që ndihmon në ruajtjen e pranisë së paligjshme të Izraelit në tërësi.

Po përsëris gjithashtu kërkesën time që qeveria britaike të njohë gjenocidin në Gaza, t’i japë fund çdo bashkëpunimi ushtarak me të, përfshirë shitjen e komponentëve për avionët F-35 dhe kryerjen e fluturimeve të vëzhgimit mbi Gaza, si dhe të marrë parasysh thirrjet e mia të përsëritura për një hetim publik mbi bashkëfajësinë tonë në atë krim.

Qeveria izraelite mund të më ndalojë të hyj në vend, por nuk mund të më pengojë të them të vërtetën: ata kanë kryer gjenocid dhe unë nuk do të ndalem së luftuari për drejtësi për popullin palestinez.

Kur flasim për Palestinën, ne shpesh theksojmë historitë e tmerrit. Por gjatë vizitave të mia në Palestinë kam përjetuar edhe njerëzillëkun, muzikën, artin, poezinë, gëzimin dhe qëndrueshmërinë e popullit palestinez.

S’kam asnjë interes të bëj një vizitë të organizuar nga qeveria izraelite për të parë aparteidin. Ajo që mbetet e palëkundur është vendosmëria ime për të luftuar për të vetmen rrugë drejt paqes: përfundimin e pushtimit.

Kanë kaluar shumë vite që nga vizita ime e fundit në Palestinë. Por, pavarësisht gjithçkaje që Izraeli mund të bëjë për të na frikësuar dhe për të na shtyrë drejt heshtjes e dëshpërimit, unë nuk e kam humbur shpresën se një ditë mund të rikthehem për të takuar fëmijët që kam njohur dikur – në një Palestinë të lirë dhe të pavarur. tesheshi.com


Burimi: tesheshi

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit