Nga Përmeti në Vlorë, ekspertët zhvillojnë vizitë studimore për shpalljen e Vjosës, Park Kombëtar


E hënë, 17 Tetor 2022

VLORË – Ekipi i 30 ekspertëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë për shpalljen e Lumit të Egër Vjosa Park Kombëtar zhvilloi një ekspeditë studimore 5 ditore përgjatë vijës ujore të lumit Vjosë dhe degëve të saj me rrjedhje të lirë, përmes bashkive të Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Vlorës.

Qëllimi i programit studimor kishte në fokus dy aspekte kryesore: së pari, njohjen e ekspertëve ndërkombëtarë dhe shqiptarë me luginën e Lumit Vjosa, të cilët do të punojnë për të siguruar mbrojtje afatgjatë të karakterit ekologjik dhe biodiversitetit të luginës me qëllim ruajtjen e integritetit të ekosistemit të saj, për të propozuar modele që do të mundësojnë zhvillimin e turizmit të gjelbër dhe forma të zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë në territoret përgjatë Vjosës dhe degëve të saj, dhe së dyti, prezantimin e ekspertëve me komunitetin lokal dhe anasjelltas.

Ekipi i ekspertëve nisi me shqyrtimin e përbërësve kryesorë të sistemit lumor – duke përfshirë degët, zonat e mbrojtura dhe monumentet e natyrës. Ekipi udhëtoi drejt Përmetit deri në fshatin Konicë (në kufi me Greqinë) aty ku nis rrjedha e lumit Vjosa për në Shqipëri – për të vijuar me ndalesa përgjatë gjithë rrjedhës së Vjosës, përfshirë Tepelenën, Gjirokastrën, përroin e Kardhiqit e Zhulatit (degë me rrjedhje të lirë të Drinos), vizitë në zonën e Kalivaçit, luginën e Bënçës, Shushicës, drejt Bratajt, Selenicës, për të përfunduar në deltën e Vjosës në Adriatik (Vlorë).

Përgjatë ndalesave në zonat përreth Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Vlorës – ekipi i ekspertëve zhvilloi diskutime fillestare dhe takime konsultative me palët e interesuara, komunitetet lokale, qeverisjen vendore, OJQ-të dhe grupet e interesit, për t’u njohur me secilin prej tyre dhe për t’u prezantuar domethënien e shpalljes së Lumit Vjosë dhe degëve të saj Park Kombëtar, ndikimet e pritshme në aktivitetet e tyre.

Gjatë takimeve konsultative, grupet e interesit, përfshirë operatorët turistikë, shprehën mbështetjen dhe optimizmin e tyre për përfitimet që do të ofrojë Parku Kombëtar i Lumit të Egër Vjosa.

Ky udhëtim studimor ishte hapi i parë në procesin e angazhimit me palët e interesuara. Në javët e ardhshme, takime e seminare të posaçme do të mbahen me banorët vendas dhe palët e tjera të interesuara si përfaqësuesit e biznesit, në qytetet kryesore përgjatë lumit. Fokusi i këtyre takimeve do të jetë prezantimi i vizionit të Parkut Kombëtar, veçanërisht në kuadrin e mundësive të reja që do të lindin bazuar në konservimin dhe ruajtjen e vlerave natyrore dhe socio-kulturore të luginës së Vjosës.

Etiketa: , ,