Nishani bllokon dy dokumente të ushtrisë


E mërkurë, 12 Mars 2014

Tiranë, 12 mars – “Lufta e ftohtë” mes presidentit dhe qeverisë ka përfshirë edhe ushtrinë. U duk sikur gjithçka shkoi e qetë dje, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare (KSK), por ja se çfarë po ndodh.

Surpriza “Basha” në këtë mbledhje me dyer të mbyllura nuk ishte e vetmja. Nishani, ashtu siç ka vepruar edhe me ambasadorët, ka bllokuar duke mos i firmosur, dokumentet strategjike të hartuara nga Ministria e Mbrojtjes, pa të cilat nuk ka vlerë Strategjia e Mbrojtjes.

Nishani njeh vetëm shkresat e Berishës…

Para dy vjetësh gazeta “Shekulli” denoncoi aferat korruptive dhe interesat private që fshihte Plani i ri i Përhapjes i Forcave të Armatosura (FA) dhe Struktura e re e FA. Synoheshin tjetërsimi i pronave dhe bazave ushtarake dhe realizimi i interesave personale të ishministrit të Mbrojtjes, Arben Imamit dhe të disa gjeneralëve të akuzuar për korrupsion edhe nga raportet e Ambasadës Amerikane të publikuara nga “Wikileaks”. Plani i Përhapjes nuk u miratua edhe nga një pjesë e ushtarakëve, të cilët Imami më pas i liroi. Ish- Presidenti Topi i ka firmosur këto akte, megjithëse nuk kaluan rrugën ligjore të miratimit sipas hierarkive. Në këto kushte, por edhe në bazë të Rishikimit të Strategjisë së Mbrojtjes (hartuar më 2013 nga qeveria “Berisha” me insistimin e NATO-s), u ribënë këto dy dokumente.

Por, Presidenti Nishani, duket se njeh vetëm shkresat e Berishës. Ai i mban në sirtar dhe nuk i firmos dy dokumentet e dërguara nga ministrja Kodheli. “Fakti që ne kemi çuar pranë presidentit Strukturën e FA dhe Planin e Përhapjes ose planin e vendosjes së FA dhe prej më shumë se sa një muaj nuk kemi marrë përgjigje, megjithëse jemi rikthyer disa herë kërkesave edhe të panevojshme teknike nga institucioni i presidentit, na bëjnë të besojmë që kjo është një procedurë e cila kërkon të pengohet nga presidenca, i cili në rastin më të mirë është vetëm miratues i asaj çka Ministria e Mbrojtjes dhe Kryeministri propozojnë pranë institucionit të Presidentit”, kështu shprehet Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, pas mbledhjes së KSK-së. Duket se plani i ri i përhapjes prish planet turistike për privatizimin e bazës së Bishtpallës dhe pikave të tjera strategjike të bregdetit, nga njerëzit e Berishës dhe të Imamit, prandaj presidenti ndodhet në llogoren e tij bllokuese.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare (SSK)

Presidenti Nishani në fjalimin e tij u mundua ta paraqiste gjithçka si një vazhdim të asaj që kryer kryeministri Berisha. Në fakt, kjo ishte një iniciativë e qeverisë së majtë. Më 2 dhjetor Kryeministri Edi Rama urdhëroi ngritjen e grupit të punës për një strategji të re kombëtare, kurse Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dje ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Duke shfrytëzuar hapësirën ligjore, ai ka vendosur në një tryezë me Ramën edhe kreun e PD-së. “Në funksion të zgjerimit të audiencës tradicionale kam ftuar kryetarin e opozitës, zotin Lulzim Basha. E falënderoj me këtë rast Bashën dhe i them se e mirëpres kontributin e tij në çështjet e sigurisë kombëtare”, tha Nishani. Kjo iniciativë vjen pas dhjetë vjetësh, kur u hartua dokumenti strategjik nga Qeveria “Nano”. SSK-ja do të përfshijë: “Mirëfunksionimin e Forcave të Armatosura, ruajtjen e Rendit, Shërbimit Informativ, masat për ruajtjen nga terrorizmi, luftën kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar, ruajtjen e kufijve të vendit, paprekshmërinë tokësore dhe kombëtare, kujdesin për ekonominë në përgjithësi, si dhe kujdesin për ruajtjen e burimeve energjetike, bizneseve strategjike, monedhën, shëndetin e shtetasve”.

Të fundit