Nishani kthen në Kuvend edhe ligjin për Huamarrjen


E diel, 18 Janar 2015

Tiranë – Duket se mosmarrëveshja mes Presidenti Bujar Nishani dhe mazhorancës vijon të mbetet “aktive” për sa i përket kthimit të ligjeve të miratuara nga Parlamenti në fund të vitit të kaluar. Kreu i Shtetit i ktheu mazhorancës edhe një ligj tjetër të rëndësishëm, ligjin për Huamarrjen.

Nëpërmjet këtij ligji qeveria synonte të merrte borxh pa autorizimin paraprak të Kuvendit. Ky ligj u miratua në fund të muajit dhjetor, pasi kaloi një diskutim të gjatë në komisione parlamentare, ku u ngrit pikëpyetja e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Kreu i Shtetit në arsyetimin e tij jep katër argumente ligjore se për se duhet të rishqyrtohet ky ligj. Sipas Presidentit nuk ka asnjë dyshim se ligji është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën. Fillimisht presidenti hedh poshtë pretendimin e mazhorancës se me ndryshimet ligjore, Ministria e Financave ka më tepër fleksibilitet në marrjen e huasë. Por presidenti citon kushtetutën që sipas tij tregon qartë se kur merret borxh i huaj, duhet të ketë autorizim nga Parlamenti.

“Përmes këtij ligj Këshilli i Ministrave pretendon se synohet të përmirësohet kuadri ligjor i huamarrjes shtetërore, duke e harmonizuar këtë veprimtari me praktikat më të mira të tregjeve ndërkombëtare të parasë dhe me qëllim uljen e kostos së huamarrjes shtetërore. Gjithashtu, pretendohet të saktësohen garancitë ligjore për sa i përket ligjit të zbatueshëm apo mënyrës së zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me palët e treta në kuadër të marrëveshjes së borxhit si dhe të përqaset ligji për huamarrjen shtetërore me dispozitat e Kushtetutës, ku Ministri i Financave të jetë fleksibël në marrjen e borxhit referuar kufirit të borxhit të miratuar nga ana e Kuvendit. Në kuptim të nenit 156 të Kushtetutës, Shteti mund të marrë e të garantojë hua dhe kredi financiare nga subjekte të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë këtu edhe Shtetet apo organizatat ndërkombëtare dhe në çdo rast Shteti mbetet i detyruar për sa ka rënë dakord në marrëveshjen e realizuar. Por, Kushtetuta ka bërë të qartë se borxhi qoftë i brendshëm apo i huaj do të merret kur të autorizohet me ligj nga Kuvendi” thuhet në njoftimin e Presidencës.

Kreu i Shtetit në pikat e tjera nënvizon se kjo nismë cenon parimin e balancimit dhe ndarjes së pushteteve nga ana e Ministrisë së Financave. Në argumentimin e 3 Presidenti shkruan, se ky ligj, shkel rëndë parimin e transparencës nga ana e qeverisë në marrjen e borxhit dhe cenon rëndë pushtetin e Kuvendit të Shqipërisë. Në argumentimin e fundit, kreu i shtetit shprehet se në secilin nga rastet, ajo çfarë kërkohet nga ana e Kushtetutës është autorizimi nga Kuvendi për kufirin, kushtet dhe mënyrat e marrjes së borxhit, të cilat nuk mund të delegohen në mënyrë absolute tek ekzekutivi, ashtu siç edhe janë rregulluar përmes ligjit në shqyrtim. Në përfundim kreu i shtetit nënvizon edhe njëherë faktin se për çdo vendim të tillë, duhet të merret miratimi i Kuvendit. Por në miratimin e këtij projektligji nga mazhoranca, u argumentua se marrja e huamarrjes pa miratimin e Kuvendit, do të bëhej brenda nivelit ligjor të borxhit./Shekulli/

Etiketa: ,
Të fundit