E diel, 16 Mars 2014
Në veri të Mitrovicës është hapur e ashtuquajtura Qendër e grumbullimit në shkollën teknike ‘Mihajllo Petrovic Alas’ për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se që në fillim është shënuar një incident, ngase në hyrje të kësaj qendre është vendosur flamuri i Serbisë, që ka shkaktuar edhe fillimin e votimit me vonesë prej rreth 20 minutash.
“Pasi që përfaqësuesit e OSBE-së nuk kanë arritur t’i bindin organizatorët për ta larguar flamurin serb nga hyrja kryesore, atëherë është vendosur që kjo hyrje të mbyllet, ndërsa qytetarët mund të votojnë nga hyrja e pasme e kësaj shkolle”, kanë thënë burimet.
Qytetarët serbë do të mund të votojnë sot deri në ora 20:00, ndërkaq numërimi i votave do të bëhet sipas marrëveshjes me OSBE-në, në qytetet e Vranjës dhe Rashkës të Serbisë.
Në anën tjetër, zëvendës drejtori rajonal i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti, ka thënë për Kosovapress se materiali është pranuar nga OSBE-ja, kurse polica nga ora 05:15 e mëngjesit të sotëm ka bërë përcjelljen e konvoit të makinave.
Sipas tij, roli i Policisë së Kosovës përveç ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, do të jetë edhe ofrimi i asistencës sipas nevojës për OSBE-në.
Ndryshe, për zgjedhjet parlamentare serbe, në veri të Kosovës janë hapur gjithsej 10 qendra të grumbullimit, një në veri të Mitrovicës, dy në Zubin Potok, tre në Zveçan dhe katër qendra të grumbullimit në Leposaviq.
Etiketa: Kosovë, Veriu, Zgjedhjet