E martë, 2 Gusht 2022
PRIZREN – Prokuroria Themelore në Prizren njofton se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.K., pasi i njëjti dyshohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit” dhe “Dëmtimi i varreve apo kufomave”.
Sipas aktakuzës, i njëjti ka përdhosur varrin e një gruaje që kishte vdekur në vitin 2001 dhe në atë hapësirë të varrit e kishte varrosur një kufomë tjetër.
“Me datë 28.12.2021 tek varrezat e qytetit në Prizren, i akuzuari B.K., në cilësinë e personit zyrtar si nëpunës i kompanisë regjionale për mbeturina “Eko Regjioni Sh.A” me seli në Pizren, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon përfitim material për vete në mënyrë që të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që të dëmtuarit N.B., nga Prizreni i kërkon shumën e parave prej 150 € (njëqind e pesëdhjetë euro) me kusht që t’ia sigurojë hapësirën për varrimin e bashkëshortes së tij të ndjerë, me ç’rast i dëmtuari pranon kërkesën e tij dhe i akuzuari merr shumën prej 150 €”.
“Po ashtu, i njëjti pa autorizim gërmon, mih, rrënon, heq, dëmton, shkatërron ose përdhos varrin e së ndjerës Sh.T., e cila ka ndërruar jetë në vitin 2001, në atë mënyrë që në hapësirën e varrit të së ndjerës në fjalë, varros kufomën e së ndjerës tjetër H.B”, thuhet në njoftimin për media të prokurorisë.
Etiketa: Prizren, Prokuroria Themelore