E martë, 20 Janar 2026

Ndonjëherë shkenca mund të jetë tepër e ngadaltë. Të dhënat vijnë me pika të holla dhe të zbehta, e vërteta rrjedh me vështirësi dhe del e paqëndrueshme. Eksperimenti laboratorik më jetëgjatë në botë është një punë e vazhdueshme, shoqëruar me durim shkencor.
Ai është zhvilluar vazhdimisht për gati një shekull, nën mbikëqyrjen e ngushtë të disa kujdestarëve dhe shumë spektatorëve. Gjithçka filloi në vitin 1927, kur fizikani Thomas Parnell në Universitetin e Queensland në Australi mbushi një gyp të mbyllur me lëngun më të trashin e njohur: katranin, një derivat që dikur përdorej për të izoluar anijet.
Ky mbetet një nga eksperimentet më të famshme të historisë. Tre vjet më vonë, në vitin 1930, Parnell preu bishtin e gypit për të nisur zyrtarisht Eksperimentin e Rënies së Katranit. Që nga ajo kohë, substanca e zezë filloi të rrjedhë.
Në temperaturë ambienti, katrani mund të duket i ngurtë, por në fakt është një lëng 100 miliardë herë më viskoz se uji. U deshën tetë vjet që pika e parë të shkëputej dhe të arrinte fundin e enës. Më pas, pikat ranë me një ritëm prej rreth një herë në tetë vjet, duke u ngadalësuar më tej pasi në ndërtesë u instalua kondicioneri në vitet 1980.
Sot, 96 vjet pas hapjes së gypit, kanë rrjedhur gjithsej vetëm nëntë pika. E fundit u regjistrua në vitin 2014. Shkencëtarët presin që një tjetër të bjerë brenda viteve 2020, por pritja vazhdon. Askush nuk e ka parë ndonjëherë një pikë të bjerë drejtpërdrejt me sy të lirë.
Edhe pse eksperimenti tani transmetohet drejtpërdrejt, probleme të ndryshme teknike në të kaluarën kanë bërë që të na shpëtojë çdo moment vendimtar. Pas Parnell, fizikani John Mainstone mori detyrën e kujdestarisë në vitin 1961.
Mjerisht, të dy vdiqën pa parë kurrë me sytë e tyre momentin e rënies. Mainstone shërbeu si kujdestar për 52 vjet. Në vitin 2000, ai e humbi momentin sepse një stuhi ndërpreu transmetimin e kamerës dhe ndërroi jetë vetëm pak muaj para rënies së radhës në vitin 2014. Aktualisht, profesori i fizikës Andrew White është kujdestari i tretë i këtij eksperimenti, duke pritur me padurim rënien e dhjetë dhe të shumëpritur të pikës së katranit./tesheshi/
Burimi: tesheshi
