Një shushunjë më pak, por më e madhja ishte kjo


E enjte, 1 Gusht 2019

Autor: Albin KURTI

Perandorinë e tyre Devollët nuk e kanë ngritur me qumësht e dyshekë. Janë bërë të rëndë (gjysëm miliardi euro thuhet), me telefoninë Z-Mobile që e rropi Telekomin e Kosovës, me monopolin në homologimin e automjeteve, me terminalet doganore pranë depove private të korporatës së tyre etj.

As Z-Mobile nuk ishte e vetmja shushunjë mbi Telekomin e Kosovës. Kontratat e tjera të dëmshme janë aq të shumta në numër e të larta në vlerë saqë Telekomit nuk i shihet dot lëkura nga shushunjat e panumërta parazitore që ia thithin gjakun nga trupi i saj i zbehur. Mirëpo, Z-Mobile ishte shushunja më e madhe. Të tjerat duhen hequr po ashtu. Të gjitha, sa më shpejt.

Njëkohësisht duhet shëruar plaga ku ishte kjo shushunjë duke kthyer te Vala ata 300 mijë numra të rrëmbyer e duke e dërguar lëndën në prokurorinë shtetërore e cila duhet të veprojë pa vonesë.

Shushunjat nuk duhen prekur me dorë kur ngjiten për trupi. Aq më pak duhen tërhequr meqë këputen e pastaj ngelen pjesërisht brenda trupit! Shushunjat hiqen me flakë, duke ua afruar flakën e duke i prekur ca me të, sepse ato nuk i durojnë dot temperaturat e larta dhe bien përdhe. Në rastin e Telekomit të Kosovës kundër Z-Mobile, punëtorët e sindikatës dhe ekspertët profesionistë janë hidrogjeni dhe oksigjeni i flakës kundër shushunjës.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa:
Të fundit