E diel, 8 Qershor 2025
Në një video të fuqishme dhe emocionuese të publikuar në ditën e Kurban Bajramit, grupi aktivist ndërkombëtar “Freedom Flotilla Coalition” (Koalicioni i Flotiljes së Lirisë) i ka dërguar një mesazh të thellë solidariteti popullit të Gazës. Videoja, e cila nis me një grup aktivistësh nga e gjithë bota në një anije në det të hapur, ndërthur urimet për festë me realitetin e hidhur të luftës dhe shkatërrimit, duke u zotuar se nuk do ta harrojnë kurrë vuajtjen e tyre dhe do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.
Mesazhi, i përcjellë me zë dhe me titra, fillon me një ton solemn dhe flet drejtpërdrejt për sfidat me të cilat përballet populli palestinez.
Më poshtë është përkthimi i plotë i mesazhit të tyre:
“Gëzuar Bajramin! Ne po vijmë!
SELAM ALEJKUM motrave dhe vëllezërve tanë në Gaza. Ky Bajram vjen nën hijen e shkatërrimit. Ne i shohim rrugët tuaja në gërmadha. Shtëpitë tuaja të bëra copash. Familjet tuaja në zi.
Ne i shohim fëmijët tuaj të nxjerrë nga rrënojat. Nënat tuaja duke mbajtur trupa pa jetë. Etërit tuaj duke gërmuar varre duar thatë. Dhe ne refuzojmë të largojmë shikimin.
Prandaj këtë Bajram, ne nuk do të flasim vetëm për durim. Ne nuk do ta mbështjellim agoninë tuaj me fjalë boshe për forcën. Në vend të kësaj, ne themi këtë:
Ju meritoni jetën. Ju meritoni drejtësi. Ju meritoni paqe. Ju meritoni ta festoni Bajramin pa mbajtur zi për njerëzit që sapo keni varrosur.
Ne nuk do të ndalemi së përmenduri emrat tuaj. Ne nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi. Ne nuk do të ndalemi derisa Palestina të jetë e lirë. Ku tingujt e vetëm në mëngjesin e Bajramit janë Ezan-i, të qeshurat, dhe jo bombat. Ku toka juaj është e juaja, qielli juaj i juaji, dhe e ardhmja juaj, më në fund, e juaja.
Nga të gjithë ne anembanë botës, ne ju shohim. Ne mbajmë zi me ju dhe ju premtojmë këtë: një ditë, Bajrami do të festohet në një Gaza të lirë. Një Gaza e gjallë, e plotë dhe në paqe.
Gëzuar Bajramin.”
Etiketa: Aktuale, Palestina