Nuk jep dorëheqje Mustafa, është në rrugë të drejtë!!!


E mërkurë, 30 Dhjetor 2015

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se nuk ka arsye të japë dorëheqje pasi është në rrugë të drejtë dhe duke respektuar ligjin. Sipas tij, të japësh dorëheqje në këtë rrugë është braktisje, lënie në baltë e besimit të qytetarëve.

Kreu i ekzekutivit ka vlerësuar se Qeveria aktuale ka legjitimitet dhe e ka përkrahjen e duhur ndërkombëtare për ta vazhduar punën për të cilin e ka marrë besimin e qytetarëve.
Mustafa në një intervistë për gazetën Epoka e Re, ka thënë se 2015-shi ka qenë një vit i vendimeve të mëdha dhe vit i rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

Pavarësisht kërkesës se opozitës për dorëheqje, ai e ka bërë me dije se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje. Mustafa ka vlerësuar se nuk është në rregull të japë dorëheqje dikush që e respekton ligjin dhe është në rrugë të drejtë.

“Mendoj që nuk është në rregull që dikush të japë dorëheqje për shkak se po e zbaton ligjin. Të japësh dorëheqje nga rruga e drejtë nuk është në rregull, është braktisje, është lënie në baltë e besimit të qytetarëve. Dorëheqja jepet kur kërkojnë qytetarët, kur konsumohet legjitimiteti dhe s’ka legalitet. Ne i kemi të dyja dhe kemi përkrahje të hapur ndërkombëtare duke filluar nga SHBA-të dhe miqtë e tjerë”, ka thënë Mustafa. /Epoka e Re/

Të fundit