Nuk ka zgjedhje pa konstituimin e parlamentit


E diel, 12 Tetor 2014

kuvendi

Prishtinë – Shpallja e zgjedhjeve të reja në Kosovë, si opsioni i fundit për dalje nga kriza e formimit të institucioneve, nuk do të mund të bëhet pa konstituimin e Kuvendit të Kosovës, thonë analistët politikë. Për shpalljen e zgjedhjeve, besohet se do të jetë i nevojshëm që të arrihet fillimisht një konsensus politik, përmes së cilit do të mundësohej konstituimi i Kuvendit me zgjedhjen e një kryetari konsensual dhe më pas të vazhdojnë procedurat e shpërndarjes së Kuvendit.
Analisti i Institutit për Politika Zhvillimore – KIPRED, Albert Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se opsioni i zgjedhjeve mbetet në lojë si mundësia e fundit.

Sipas tij, ende nuk janë shterur të gjitha mundësitë e tejkalimit të krizës. Posti i kryetarit të Kuvendit, vijon Krasniqi, nuk parasheh që të çojë vendin në zgjedhje, por nëse situata mbetet e bllokuar, zgjedhjet mund të shpallen përmes një procedure tjetër që kërkon fillimisht konstituimin, e më pas shpërndarjen e Kuvendit.

Të fundit