Numri i të vrarëve në Gaza afrohet me 55,300 ndërsa Izraeli vazhdon luftën brutale ndaj palestinezëve


E diel, 15 Qershor 2025



Të paktën 55,297 palestinezë janë vrarë në luftën shkatërrimtare të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, njoftoi Ministria e Shëndetësisë të shtunën, raporton Anadolu.

Në deklaratë thuhet se 90 trupa janë sjellë në spitale gjatë 48 orëve të fundit, ndërsa 605 persona janë plagosur, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të plagosurve në 128,426.

Ministria shtoi se shumë viktima vazhdojnë të jenë të bllokuara nën rrënoja apo në rrugë, pasi ekipet e shpëtimit nuk arrijnë të hyjnë në zonat e prekura.

Ushtria izraelite rifilloi sulmet në Rripin e Gazës më 18 mars, duke braktisur një armëpushim dhe marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve që ishte në fuqi që nga janari.

Agjencitë e OKB-së kanë theksuar se duhet t’u lejohet të shpërndajnë ndihma humanitare në Gaza, pasi uria kërcënon popullsinë dhe ndërprerja e komunikimeve rrezikon operacionet për shpëtimin e jetëve.

Në nëntor të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.