E shtunë, 17 Janar 2015
Washington – Presidenti amerikan Barak Obama tha se përparësi e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) është se muslimanët në atë vend ndihen amerikanë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Krahasuar me Evropën, përparësia e jonë më e madhe është, se ndoshta muslimanët në vendin tonë ndjehen si amerikanë. Forca jonë më e madhe qëndron në përshtajen e emigracionit në traditën tonë ekzistuese,” tha Obama, duke shtuar se në disa vende evropiane, kjo gjë nuk qendron.
“Ka pjesë të Evropës ku kjo nuk është kështu. Kjo ndoshta është sfida më e madhe e tyre”, sipas presidentit amerikan.
Obama dhe kryeministri britanik, David Cameron pas takimit në zyrën Ovale në Washington mbajtën konferencë shtypi ku pjesën më të madhe ia kushtuan temës së terrorizmit dhe ekstremizmit.
Obama me këtë rast tha se problemi i terrorizmit nuk mund të zgjidhet me aktivitete të inteligjencës dhe mjete ushtarake.
Ai theksoi nevojën e strategjisë afatgjatë për të parandaluar rekrutimin e të rinjve në radhët e organizatave terroriste.
“Ne akom jemi të fortë, sepse paraqesim vlerat në të cilat beson shumica e muslimanëve. Jemi angazhuar së bashku nën ombrellën e tolerancës në mënyrë që të ndërtojmë dhe jo të prishim”, theksoi Obama.
Të dy udhëheqësit botërorë ranë dakord se është e nevojshme për të përshpejtuar trajnimin e forcave ushtarake irakiane në luftën kundër organizatës terroriste ISIL.
Obama hodhi poshtë akuzat se Shtetet e Bashkuara dhe Britania a Madhe vëzhgojnë ngjarjet në Siri qetësisht, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara bëjnë përpjekje të mëdha për të arritur një zgjidhje diplomatike të luftës siriane.
Ai vuri në dukje se SHBA-të dhe aleatët e saj i pret një luftë e gjatë për tu përballur me ideologjitë ekstremiste që janë gjithnjë e më tërheqëse edhe radikalët e brendshëm si ata që kryen sulmet në Francë javën e kaluar.
Kryeministri britanik tha se është e nevojshme që të qëndrojmë larg prej deklaratave dhe retorikës të cilat paraqesin imazhin e gabuar të Islamit.
“Kërcënimi i vërtetë është këtu, kjo nuk duhet harruar, retorika helmuese që jep ide të gabuar për Islamin,” tha Cameron, duke shtuar se bashkë me aleatët do të luftojnë kundër kërcënimeve terroriste dhe fanatike./AA/