E martë, 22 Mars 2016
Havana – Presidenti kuban Raul Castro u kujdes që Barack Obamës t’i rezervohej një pritje madhështore në rrugëtimin e tij historik drejt shtetit-ishull.
Por një tjetër Castro mbeti larg bujës diplomatike që rrethoi të parën vizite të një presidenti amerikan në Kubë prej gati 9 dekadash.
Që përpara se “Air Force One” të zbriste në aeroportin “Jose Marti” të Havanës, Shtëpia e Bardhë e kishte bërë të qartë se gjatë ndalesës gati treditore në Kubë, Obama nuk do të takohej me liderin e revolucionit, Fidel Castro.
“As ne, as kubanët nuk e kemi kërkuar një takim të tillë”, i tha gazetarëve ndihmës këshilltari i sigurisë kombëtare, Ben Rhodes.
Që kur Rauli mori pushtetin në 2006-n dhe Fideli bëri mënjanë për shkak të problemeve shëndetësore, qeverisja e tij është karakterizuar nga një qasje më e butë e më pragmatike në raport me pjesën tjetër të botës.
Pikërisht një kthesë e tillë ishte ajo që i hapi rrugë rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe shkembimeve ekonomike mes SHBA-ve dhe Kubës.
Progres i rëndësishëm është shënuar në marrëdhëniet mes dy vendeve këto vitet e fundit, por Fideli vazhdon të përfaqësojë epokën e mungesës së besimit dhe ashpërsisë së marrëdhënieve dypalëshe.
“Nuk i besoj politikës së Amerikës”, do të shkruante ai në një letër të hapur pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, “nuk kam këmbyer kurrë një fjalë me ta, por kjo nuk do të thotë se e refuzoj zgjidhjen paqësore të konflikteve”, ishin fjalët e tij.
Etiketa: Amerika, Barack Obama, fidel castro, kuba