Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Obama shumë i shqetësuar për presidencën e Trump

Prizren Post | 11:07 - 15.11.2016

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Washington – Presidenti amerikan Barack Obama tha se ka shqetësime në lidhje me presidencën e Donald Trump i cili është zgjedhur si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), raporton Anadolu Agency.

Obama i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë para udhëtimit të tij për në Greqi, Gjermani dhe Peru.

Ai tha se ekipi i tij pas rezultateve zgjedhore presidenciale ka treguar çdo ndihmë dhe lehtësi që procesi i dorëzimit të qeverisë të zhvillohet pa probleme. “Kjo zyrë është më e madhe se çdo person. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të sigurohet një tranzicion i qetë”, tha Obama.

Ndër të tjera Obama theksoi se SHBA-ja sot është në një pozicion më të fuqishëm se para 8 viteve kur ai ka ardhur në detyrë duke shpjeguar më tej se SHBA-ja ende përbën një shembull për botën. Sipas tij, vendi i tij ka një “rëndesë të madhe” në të gjithë botën.

Pasi tërhoqi vëmendjen se presidenca e SHBA-ve është një detyrë e rëndësishme Obama ka rikujtuar se të mërkurën e kaluar zhvilloi një takim “të sinqertë” me Trump në Zyrën Ovale. “Kam qenë i drejtë me aq sa kam mundur me Trump”, ka thënë Obama për të shtuar se Trump është “më shumë pragmatik se sa ideologjist”.

“Rekomandimi im ndaj presidentit të zgjedhur në takim ka qenë se qeverisja është ndryshe nga fushata zgjedhore”, u shpreh Obama pasi ka bërë të ditur se vendimet që do të marrë Trump janë të lidhura me të dhe se zhvillimi i fushatës zgjedhore nuk është e njëjtë me qeverisjen e vendit.

Pas një pyetjeje të drejtuar Obama potencoi se ka shqetësime në lidhje me presidencën e Trump. Duke vënë theksin për përgjegjësitë e SHBA-ve Obama tha: “A kam shqetësime? Absolutisht. Sigurisht, unë jam i shqetësuar. Ai dhe unë nuk jemi në një mendim për një sërë çështjesh. Qeveria federale dhe demokracia jonë nuk janë skaf i shpejtësisë por një anije oqeani. Unë këtë e kam vënë re kur kam ardhur në detyrën e presidencës”.

Marrëdhëniet SHBA – NATO

Ndër të tjera Obama ka cekur edhe çështjen e marrëdhënieve SHBA – NATO. Ai tha se gjatë presidencës së Trump nuk do të ketë ndonjë ndryshim në angazhimin strategjik lidhur me NATO-n. “SHBA-ja nuk ka asnjë dobësim në qëllimin e saj për të mbrojtur marrëdhënien e fortë dhe të fuqishme me NATO-n. Këto aleanca janë shumë të rëndësishme jo vetëm për Evropën por edhe për SHBA-në dhe botën”, tha presidenti amerikan Obama.

Lufta e brendshme në Siri

Në pyetjen në lidhje me atë se gjatë presidencës së tij nuk është bërë e mundur përfundimi i luftës së brendshme në Siri e cila vazhdon që prej 6 vitesh, Obama tha se në këtë vend është një “situatë komplekse” me luftërat e deleguara.

“Kam patur dëshirë që ta ndal sa më parë këtë. Kemi treguar çdo përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike për këtë çështje. Sekretari i Shtetit John Kerry me rusët, iranianët, vendet e Gjirit dhe palët e tjera ka shpenzuar një kohë të madhe për të ndalur vdekjet në Siri. Nëse jeni duke pyetur nëse kemi kapacitet për të kryer veprime ushtarake në Siri ashtu siç po kryejmë në Libi, dëshiroj të them se atje ka situata të ndryshme. Nuk e kemi mundësinë për këtë opsion. Ne do të vazhdojmë të ushtrojmë presion për të gjetur një zgjidhje politike me aq sa kemi mundësi”, tha ndër të tjera Obama.


Arivisti Company