O’Brien: Shpresojmë se do të bëhet gjithçka që të themelohet Asociacioni


E shtunë, 20 Prill 2024

BEOGRAD – Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Kosova ka premtuar se do të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Uashingtoni pret që ky zotim të realizohet.

O’Brien tha se rikujtoi se themelimi i Asociacionit është “i rëndësishëm për serbët në Kosovë në mënyrë që ata të kuptojnë se si do të duket jeta e tyre”.

“Nëse ka shqetësim se komuniteti ndërkombëtar nuk po përmbush obligimin për të ndihmuar në këtë çështje, unë shpresoj që ne do të bëjmë gjithçka që kemi në dorën tonë për të ndihmuar në përmbushjen e premtimit ndaj vetes dhe të tjerëve”, tha zyrtari i lartë amerikan gjatë një konference për media në Beograd më 20 prill, pas takimit që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më 2013 dhe më pas më 2015 për themelimin e Asociacionit.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte thënë se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk kishte në përputhje të plotë me Kushtetutën.

Po ashtu, themelimi i Asociacionit është përfshirë edhe në Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve që palët arritën vitin e kaluar.

BE-ja dhe SHBA-ja vazhdimisht i kanë bërë thirrje Kosovës që themelojë Asociacionin. Vitin e kaluar, bashkësia ndërkombëtare i paraqiti Kosovës dhe Serbisë një draft-statut për Asociacionin.

Palët fillimisht e pranuan draft-statutin, por ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap drejt themelimit të tij.

Duke folur për rezolutën që pritet të miratohet në Kombet e Bashkuara për Srebrenicën, O’Brien tha se qëllimi është që të ketë partneritet me Serbinë dhe këdo tjetër, për t’u përballur me të vërtetën.

Zyrtari amerikan tha se ka qenë avokat që ka punuar në hetimin e krimeve të luftës dhe ka qenë pjesë e ekipit të parë që ka hetuar vrasjet në Srebrenicë.

“Atëbotë, forcat e Qeverisë së Serbisë na garantuan ne sigurinë dhe më pas me ne ishin edhe përfaqësuesit e OKB-së teksa ne po kryenim punën për të vërtetën. Edhe sot e kësaj dite po e bëjmë këtë, dhe ne duhet të përballemi me të vërtetën. Ne ishim partnerë atëherë dhe duhet të jemi partnerë edhe tani”, tha ai./REL

Etiketa: , , , , ,
Të fundit