E mërkurë, 23 Mars 2016 
Prishtine – Dogana dhe Policia e Kosovës, duke filluar nga orët e para të mëngjesit të sotëm, kanë ndërmarrë aksionin e koduar “QARKU” të cilin e kanë cilësuar si aksionin më të madh ndonjëherë kundër krimeve financiare dhe krimit të organizuar…
Dogana dhe Policia e Kosovës, duke filluar nga orët e para të mëngjesit të sotëm, kanë ndërmarrë aksionin e koduar “QARKU” të cilin e kanë cilësuar si aksionin më të madh ndonjëherë kundër krimeve financiare dhe krimit të organizuar, ka njoftuar Adriatik Stavileci, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të këtij operacioni, Dogana e Kosovës me autorizim nga Prokuroria Speciale dhe Gjykatat relevante në mbarë Kosovën, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Njësinë e Hetimeve Tatimore ka organizuar një operacion të gjerë kontrolli në rajonet e Prishtinës, Mitrovicës, Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit ku janë bastisur 68 lokacione, duke përfshirë depo, dyqane dhe shtëpi private.
Në këtë operacion kanë marrë pjesë afro 800 zyrtarë, prej të cilëve 650 pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe pjesa tjetër nga Dogana.
Si rezultat i aksionit të sotëm “QARKU” janë arrestuar 20 persona dhe janë ngrirë 132 llogari bankare në posedim të personave të dyshimtë.
Po ashtu janë sekuestruar cigare të kontrabanduara me vlerë tregu prej rreth gjysmë milion euro dhe ilaçe të llojeve të ndryshme.
Gjatë aksionit të sotëm janë konfiskuar edhe para të gatshme në vlerë prej mbi 60 mijë euro dhe rreth 130 mijë dinar serb, si dhe para të falsifikuara.
Po ashtu janë sekuestruar 13 vetura të ndryshme, të përdorura në kryerjen e veprave penale, ndërsa nga armatimi janë konfiskuar 4 armë të shkurta, një pushkë, një AK47 dhe municion në sasi prej 220 copëve.
Si dëshmi dhe prova të tjera, Dogana dhe Policia kanë sekuestruar video regjistrues dixhital, 15 lap-top dhe kompjuterë, 20 telefona mobil dhe dokumente të ndryshme si fatura, fletore për mbajtjen e shënimeve dhe dokumente të tjera.
Para se të ndërmerrej ky aksion, nga Dogana njoftojnë se, hetimet paraprake kanë zgjatur afër gjashtë muaj dhe si subjekte të vëzhgimit kanë qenë afër pesëdhjetë persona të dyshuar për “ndërveprim për mundësimin e krimit të organizuar ndërkufitar”.