Opozita demanton thëniet se ka një marrëveshje


E diel, 6 Dhjetor 2015

Prishtinë – Sot gjatë ditës është raportuar për një mundësi që të ishte arritur marrëveshja me rastin e vizitës së Kryeparlamentarit të Shqipërisë, Ilir meta në Kosovë, dhe me rastin e takimeve të tij me përfaqësuesit e opozitës dhe Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Lajmi.net ka kontaktuar me zyrtarë të opozitës dhe ata e kanë hedhur poshtë informacionin se është arritur ndonjë marrëveshje dhe informacionet e tilla i kanë quajtur spekulime
Frashër Krasniqi nga Vetëvendosje ka thënë se në asnjë mënyrë nuk mund të ketë ndonjë marrëveshje dhe se informacionet e tilla janë vetëm spekulime, raporton lajmi.net

“Absolutisht s’ka marrëveshje. Nuk mund të ketë pa u tërhequr marrëveshjet e Brukselit. Ne nuk diskutojmë për ndonjë marrëveshje pa u tërhequr ato.”, ka thënë Krasniqi për lajmi.net
Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i NISMA-s, Bilall Sherifi tha se nuk ka marrëveshje, duke thënë se nuk e di nga po vijnë këto informacione spekuluese.

“Nuk ka asnjë marrëveshje. Të paktën jo nga aq sa ne dimë. Në takim z.Meta i ka dëgjuar kërkesat tona dhe ne e kemi bërë të qartë se kusht për një marrëveshje janë tërheqjet e marrëveshjeve të Brukselit”, tha Sherifi.

Ndërsa, lajmi.net ka provuar të kontaktojë edhe me Muharrem Nitajn nga AAK, por kjo ka qenë e pamundur pasi ai nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Etiketa: ,
Të fundit