Opozita jep ultimatum për largimin e EULEX-it


E enjte, 9 Janar 2014

Transformimi i misionit të EULEX-it ka hyrë në një fazë tjetër. Për ndryshimin e misionit të EULEX-it, këtë muaj në Bruksel do të fillojë dialogu mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Mirëpo, ky dialog dhe insistimi i BE-së për zgjatjen e këtij dialogu, sipas partive politike, vjen si pasojë e dështimit të qeverisë.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i ka thënë KTV-së se gjithsesi duhet të merret vendim për EULEX-in. Mirëpo, sipas Gashit, pavarësisht ndarjes së EULEX-it në tri misione të tjera, gjithsesi duhet të vihen afate të qarta kohore.

Qartësi në këtë proces kërkon edhe Vetëvendosje, megjithëse EULEX-in e sheh të dështuar.

Të mërkurën, vetë ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka deklaruar për KTV-në se Bashkimi Evropian dhe EULEX-i kanë kërkuar krijimin e tri misioneve.

Një mision do të jetë me kompetenca ekzekutive për pjesën veriore që për qëllim do të ketë krijimin dhe integrimin e strukturave të rendit dhe ligjit në këtë pjesë. Një mision tjetër do të jetë ai që do të vazhdojë të merret me rastet që janë në zhvillim dhe misioni i tretë që do të vendoset në zyrën e Bashkimit Evropian dhe që do të ketë rol monitorues.

Të fundit