Opozita kërkon përfshirjen e veteranëve në pagën minimale


E hënë, 29 Maj 2023

PRISHTINË – Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji në lexim të dytë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, kundër këtij amendamenti ishte ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili theksoi se neni për përjashtimin e veteranëve nga paga minimale nuk duhet të hiqet.

Ndërsa, në këtë mbledhje pati përplasje edhe ndërmjet deputetëve të VV-së dhe LDK-së.

Në emër të PDK-së, anëtari i Komisionit Ferat Shala kërkoi me amendament të hiqet neni që i largon veteranët nga paga minimale.

“Amendamenti 1, neni 2 i ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për veteranët e UÇK-së i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin 05-L 141, propozojmë që të fshihet nga projektligji. Arsyetim, propozimi i nenit 2 i projektligjit të fshihet, është i domosdoshëm, për faktin se përjashtimi i veteranëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga paga minimale, e cila do të përcaktohet sipas kushteve që i përcakton ky Projektligj, është jo vetëm i pa papranishëm, por edhe diskriminues. Sepse përveç tjerash pensioni i tyre është i përcaktuar me ligjin bazik”, theksoi Shala.

Ai më tej theksoi se ndërlidhja e çështjes së kategorizimit përfundimtar në listën e veteranëve me të drejtat ligjore për pagesën e pensionit ekuivalent me pagën minimale nuk ka bazë edhe asnjë arsyetim përveç që paraqet një diskriminim.

Për këtë, ministri i Financave, Hekuran Murati theksoi se nuk është i nevojshme heqja e amendamentit numër 1 në Projektligjin për paganë minimale, shkruan Telegrafi.

Ai tha se çështja e pensioneve për veteranët do të trajtohet me ligj të veçantë.

“Nuk mendoj se është e nevojshme. Projektligji që kemi sjellë te paragrafi specifik e jep mundësinë që qeveria me anë të vendimit të mund të përcaktojë lartësinë. Diçka që ka qenë e përcaktuar në nenin 18, mirëpo ai nen është fshirë nga ligji bazik. Neni 18 te ligji bazik që po I referoheni, ka qenë e përcaktuar që pensioni i veteranit të përcaktohet me vendim të qeverisë, por jo më pak se paga minimale. Meqenëse ai nen është fshirë në tërësi, kemi konsideruar që është e nevojshme që të jetë fleksibiliteti i qeverisë që në të ardhmen të shqyrtojë mundësinë për ndryshime. Gjithsesi nuk mendoj që është i nevojshëm të fshihet ky nen. Sepse, fillimisht s’kemi të bëjmë me shkëputje nga paga minimale, ajo gjë është bërë kur keni qenë ju në qeveri. Ka edhe deklarimeve procesverbale në kuvend. Ka deputet të PDK-së që kanë deklaruar edhe në Kuvend se me atë Projektligj të asaj kohe po bëhet edhe shkëputja nga paga minimale. Kjo ka ndodhur, dhe krejt çka po mundohemi këtu me anë të këtij projektligji është që të rrisim ose të krijojmë hapësirë ligjore për të rritë pagën minimale, e cila afekton rreth 100 mijë të punësuar në sektorin privat, të cilët aktualisht janë me pagë minimale 170 euro. Çështja e pensioneve të tjera do të trajtohet veçantë, gjë që edhe e kemi thënë se do ta bëjmë. Mirëpo nuk ka të bëjë fare me ndërlidhjen që ju po pretendoni”, theksoi Murati.

Etiketa: , ,
Të fundit