E martë, 6 Shtator 2022
SHKUP – Presidenti i RMV-së Stevo Pendarovski nuk e përkrah iniciativën për shpallje të referendumit në vend.
Ai deklaroi se partia opozitare maqeedonase nuk mund të kërkojë mbështetje për referendumin nga Qeveria, në këmbim të votimit të ndryshimeve kushtetuese.
“Cila është pyetja e opozitës për referendum? Praktikisht ta ndërpresim rrugën evropiane. Do të thotë nëse ju i jepni mbështetje një referendumi të tillë, klasik anti-evropian, me pyetjen, nuk ka nevojë më tej të ndryshoni Kushtetutën”, tha Pendarovski.
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se një referendum i tillë do të ishte vetëm në dëm të qytetarëve.
“Atë që e bën tani opozita është vetëm për interesat e brendshme partiake, me gjase, për mbajtjen e pozitës nga kryetari i tyre. Pyetjen e referendumit me siguri do ta dorëzojnë në Kuvend. Në këtë moment, çfarëdo pengimi i procesit të eurointegrimeve të shtetit është dëmtim i qytetarëve dhe shtetit në rrugën eurointegruese. Sa shpejt ne do të kyçemi në BE tani varet kryekëput nga ne sepse kemi detyra të cilat ne duhet t’i zbatojmë tek ne”, u shpreh Dimitar Kovaçevski.
Etiketa: Maqedonia e Veriut, Opozita, Stevo Pendarovski