Opozita në kërkim të zgjidhjes së “izolimit” të Kosovës


E hënë, 3 Korrik 2023

PRISHTINË – Përfaqësues të partive opozitare në Kosovë thonë se duhet të gjejnë mënyra për t’iu kundërvënë politikave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilat, sipas tyre, po e izolojnë vendin.

Ata pranojnë se për rrëzimin eventual të Qeverisë me mocion mosbesimi, tash për tash, nuk kanë vota.

Komentet vijnë në kohën kur Qeveria e Kosovës po përballet me trysninë e bashkësisë ndërkombëtare për të shtensionuar situatën në veri të vendit.

Në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë hyrë në zyrat e tyre, përkundër rezistencës së banorëve lokalë serbë.

Protestat e tyre kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme, me dhjetëra të plagosur – në mesin e të cilëve edhe ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.

Bashkimi Evropian, ashtu si edhe Shtetet e Bashkuara, kanë ndërmarrë tashmë masa ndëshkuese për Kosovën – përfshirë pezullim fondesh, stërvitjesh ushtarake dhe takimesh të nivelit të lartë – për shkak të, siç është thënë, mospërfilljes së kërkesave të tyre për shtensionomin e situatës.

Sipas disa përfaqësuesve opozitarë, këto masa e izolojnë Kosovën.

Etiketa: , ,
Të fundit