E premte, 22 Prill 2016 
Prishtinë – Misioni i OSBE-së ka njoftuar se do të hapë pesë qendra me degë përkatëse nëpër Kosovë, më 24 prill, ditën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të Serbisë.
OSBE-ja do të ndërmarrë këtë operacion me qëllim të grumbullimit të votave, për t’iu mundësuar personave me të drejtë vote nga komuniteti serb në Kosovë qasje në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
“Stafi i OSBE-së do të jetë prezent në secilën prej tyre. OSBE-ja ka bërë aranzhime për shpërndarje të duhur gjeografike të këtyre qendrave dhe degëve, gjë që siguron mbulim të duhur të zonave ku gjenden personat me të drejtë vote”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.
Ky angazhim i OSBE-së bazohet në modelet e operacioneve të mëhershme, në veçanti atë të vitit 2014.
OSBE-ja do të jetë bartëse e operacionit në Kosovë, duke përfshirë edhe ruajtjen e materialit të ndjeshëm që do të përdoret në këtë proces.
“Materiali, si fletëvotimet dhe listat e votuesve, i është dorëzuar OSBE-së nga Komisioni Zgjedhor Republikan i Serbisë (KZR). Mënyra e hedhjes së votës për personat me të drejtë vote do të jetë e njëjtë si në 2014”, vijon njoftimi.
Për personat me të drejtë vote, prania e Misionit të OSBE-së në terren ka vënë në dispozicion informacion rreth vendeve që do të shfrytëzohen për këtë operacion.
Pas përfundimit të procesit, OSBE do t’i bartë votat e grumbulluara në Rashkë dhe Vranjë dhe do t’ia dorëzojë ato Komisionit Zgjedhor Republikan të Serbisë për numërim e procedura të mëtutjeshme./Rel/
Etiketa: Kosovë, osce