Osmani: Do ta caktoj datën e zgjedhjeve, menjëherë sapo Aktgjykimi i Kushtetueses të hyjë në fuqi


E enjte, 24 Dhjetor 2020

PRISHTINË – U.d e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Në njoftimin e bërë nga presidenca thuhet se në këtë takim u diskutua lidhur me përgatitjet e KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas rrethanave të krijuara nga njoftimi për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, transmeton Telegrafi.

“U.d. Presidentja Osmani diskutoi me Daka lidhur me takimet preliminare të zhvilluara me subjektet politike, dhe e njoftoi se ajo do ta caktojë datën e zgjedhjeve menjëherë sapo Aktgjykimi i Kushtetueses të hyjë në fuqi, pas dorëzimit tek palët. U.d. Presidentja potencoi rëndësinë e veprimeve të shpejta për procesin e votimit për qytetarët e vendit të cilët jetojnë në mërgatë”, thuhet në njoftim.

Sipas u.d. Presidentes Osmani, bashkatdhetarëve tanë duhet t`u ofrohet sa më shpejtë mundësia për t`u regjistruar për votim, në mënyrë që të kenë kohë të mjaftueshme që votat e tyre të arrijnë në KQZ sipas afatit të paraparë.

Theksojmë se Osmani për dy ditë radhazi ka takuar liderët e partive politike në Kosovë ku kanë diskutuar për zgjedhje.

Etiketa: , , , ,