Osmani në CNN: Pa institucione të themeluara shpejt, ëndrra e Kosovës për NATO-n dhe BE-në mbetet larg


E martë, 9 Qershor 2026
Osmani në CNN: Pa institucione të themeluara shpejt, ëndrra e Kosovës për NATO-n dhe BE-në mbetet larg

Në një intervistë direkte nga Prishtina për emisionin e CNN, presidentja e 6-të e Kosovës, Vjosa Osmani (e cila shërbeu nga viti 2021 deri në përfundim të mandatit të saj në prill të këtij viti), paralajmëroi se ky bllokim institucional është shumë i pafat sepse ka dëmtuar interesat e Kosovës si brenda vendit për sa i përket ekonomisë, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, transmeton Klankosova.tv.

Sipas saj, kriza filloi krejtësisht pa nevojë pikërisht në kohën kur po ndërtohej një momentum ndërkombëtar dhe po rritej mbështetja në botën perëndimore, veçanërisht me administratën e re të ShBA-ve.

Ajo theksoi se zëri i qytetarëve këtë herë është edhe më i qartë se ata duan kompromis midis forcave politike në mënyrë që institucionet të krijohen së bashku e jo vetëm nga një forcë politike.

Ajo shtoi se ndërsa vendet e tjera në rajon mund të zgjedhin rrugën ku dikush kontrollon gjithçka, Kosova ka qenë gjithmonë model ku bashkimi dhe puna e përbashkët e forcave politike për interesat nacionale ka sjellë përfitime brenda dhe jashtë vendit.

Gazetarja e CNN solli në vëmendje sfidën e qeverisjes njëpartiake, duke specifikuar se partia e Kryeministrit Albin Kurti tani duhet të gjejë një partner koalicioni për të formuar qeverinë e re dhe për të siguruar një shumicë prej dy të tretash për të zgjedhur presidentin e ri. E pyetur se çfarë kompromisesh janë realisht të mundshme për të shmangur paralizën, Osmani theksoi se kompromisi duhet arritur për të tre institucionet: qeverinë e re, udhëheqjen e parlamentit dhe presidentin.

“Kompromisi është vlera më e mirë që mund të kesh në politikë. Pra, të gjithë do të duhet të punojnë me njëri-tjetrin. Dhe ne jemi gati t’i japim vendit tonë pikërisht këtë”, u shpreh ajo, duke saktësuar se është herët të thuhet se si do të sillen partitë e tjera.

“Jemi gati të ulemi dhe të bisedojmë me partitë politike, partitë e shumicës. Natyrisht, nuk duam të bisedojmë me partinë e vetme serbe që ka marrë pjesë në akte agresioni dhe shkelje të rendit kushtetues të Kosovës. Por çdo parti tjetër këtu, të gjithë rivalët e tjerë politikë janë të mirëpritur”.

Tutje, Osmani bëri thirrje për veprim urgjent, duke paralajmëruar afatet strikte ligjore dhe ripotencoi se para sfidave të sigurisë që shkaktohen nga Serbia dhe temave te integrimit euroatlantik, partitë shqiptare duhet të qëndrojnë të bashkuara.

Ajo theksoi se është urgjente të gjendet një kompromis në interes të vendit duke i ditur afatet strikte ligjore, e me konkretisht afatin 60 ditor për zgjedhje te Presidentit.

Ajo përsëriti punën që kishte ndërmarrë Presidenca me shtetet anëtare të NATO-s dhe të BE-se, duke potencuar se muajt e krizave po krijojnë vonesa në rrugëtimin evropian dhe në anëtarësimin e nevojshëm në NATO, ndaj duhen institucione të shpejta për të vazhduar këto procese jetike për vendin.


Burimi: mesazhi

Etiketa:
Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit