Pacolli: Mos i votoni hajnat


E diel, 6 Tetor 2013

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, të dielën në Gjilan gjatë prezantimit të kandidatit për kryetar të Gjilanit Faton Bislimi tha se Gjilani kësaj radhe duhet të votojë për AKR dhe kandidatin e saj, sepse AKR punon ndershëm, me profesionalizëm dhe përgjegjësi të plotë.
Pacolli tha se Gjilani dikur ishte një qendër e madhe e punësimit dhe industrisë kurse tani ky vend ka mbetur i izoluar dhe i nëpërkëmbur.

”AKR, nëse merr timonin për të udhëhequr me Gjilanin, atëherë ne do ta bëjmë këtë në mënyrë transparente dhe me përgjegjësi të plotë sepse AKR investon shpirtin e vet”, tha Pacolli, raporton rajonipress.

Pacolli tutje tha se AKR realisht ka dalur jashtë kornizave të saj dhe jemi bërë bashkë edhe me koalicionin vetëm për të pasur në qytet më ndryshe.

”Gjilani duhet të bëhet qytet i jetueshëm dhe ata që kanë premtuar votat dhe nuk e kanë realizuar programin e tyre ata as nuk meritojnë të votohen. Ata duhet të kthehen kokë ulur. AKR nuk është parti që ka punë e telashe me prokuror e gjykatës sepse është banale që tani në shekullin e 21 po ballafaqohemi me probleme banale. Gjilani është shkatërruar sepse s`ka vizion dhe tani duhet të themi mjaft me hajni dhe abuzime. Ata që blejnë vota i pret burgu i Dubravës”, tha ai.

Pacolli duke folur për kandidatin Faton Bislimin tha se ky njeri ka vlera dhe ai është më i merituari që duhet të përkrahet e votohet. “Rrokullisni çdo gur , por mos i votoni hajnat” tha Pacolli.

Kurse Faton Bislimi tha se ka hyrë në këtë garë për një Gjilan më të dinjitetshëm dhe më ndryshe.

Etiketa: , ,
Të fundit