Pacolli: Pas 35 vitesh, arrita të bëj milionin e parë


E hënë, 25 Prill 2016

Prishtinë – Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli ka treguar rrugën që ka ndjekur dhe vështirësitë me të cilat është ballafaquar për të arritur këtu ku është sot.


Ai në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se pas një pune 35 vjeçare me sakrifica jashtë shtetit dhe në një konkurrencë të ashpër në treg, ka arritur të bëj milionin e tij të parë.

Pacolli duke folur për pasurimin e kolegëve të tij nga politika, ka thënë se Kosova u paska sjell shumë fat njerëzve të caktuar për të cilët shohim e dëgjojmë çdo ditë.

Lexoni postimin e plotë të Pacollit në Facebook:

Të dashur miq,

Duke shikuar në Internet pashë edhe një herë emisionin investigativ “Shtabi i Milionerëve”.

Me siguri shumë qytetarë kanë pyetur si ka ndodhur ky pasurim i shpejtë i këtyre politikanëve që përmendeshin në atë emision. Këta paskan qenë dikur në shtabe lufte, që për qytetarët ishin si sinonim i së mirës dhe krenarisë patriotike kombëtare. Tash këta njerëz qenkan në një shtab tjetër, shtab milionerësh. Pra, paska ndërru edhe objektivi i luftës, luftë për miliona.

Unë milionin e parë e bëra me shumë vështirësi, punë 35 vjeçare e sakrifica, jashtë shtetit, në një konkurrencë të ashpër të ekonomisë së tregut të lirë, duke konkurruar me mendjet më kreative të botës, ndërsa anëtarët e Shtabit të Milionerëve pasurinë e tyre, siç e pashë, e kishin krijuar pa hasur në kurrfarë vështirësie e pa konkurrencë. Unë i habitur pyes: nga ku, nga puna apo Buxheti i Kosovës?

Shumë e fortë qenka Kosova që u paska sjellë shumë fat njerëzve të caktuar të cilët i shohim dhe për të cilët dëgjojmë çdo ditë.

Por ka një problem, Kosova e udhëhequr nga këta njerëz deri tani nuk u solli këtë fat qytetarëve të vet.

Për fat të keq, ne shumë shpejt, ndoshta do të shohim edhe milionerë të tjerë që u pasuruan nga paratë tona (para që ia kishim dedikuar kauzës tonë në Kosovë) që një pjesë e madhe e tyre kurrë nuk shkuan aty ku duhet.

Etiketa: ,
Të fundit