E hënë, 12 Gusht 2013
Lideri i Aleancës për Kosovë të Re (AKR), Behgjet Pacolli në një intervistë për Telegrafin theksoi se qytetarët e Kosovës kanë plotësisht të drejtë të dënojnë fuqishëm akterët e kësaj gjendje sociale dhe këtë do ta bëjë me votën e tij. Në këtë intervistë për Telegrafin, ai tha se për këtë rekomandon që qytetarët mos të votojnë me emocione.
Sipas tij, patriotizmi klasik duhet t’i takojë së kaluarës dhe qytetarët e Kosovës të mbështesin patriotët modern, ata që dinë dhe punojnë për perspektiven ekonomike të qytetarëve dhe krijimin e kushteve dinjitoze për qytetarin e Kosovës.
Pacolli në këtë intervistë flet për të arriturat dhe dështimet e qeverisë, thotë se Prishtinës i nevojitet menaxhim i ri nga njerëz profesionist. Gjithashtu, Pacolli flet për skandalet e fundit të diplomatëve të Kosovës jashtë vendit.
Telegrafi: I nderuari Pacolli, jemi në prag të zgjedhjeve lokale, ndërsa më vonë pritet të mbahen edhe ato nacionale. Si qëndrojnë raportet në koalicionin aktual me PDK-në, gjegjësisht sa është e kënaqur AKR-ja me bashkëpunimin me partnerin aktual në qeverisje, PDK-në? Si po funksionon koalicioni qeverisës?
Pacolli: Koalicioni po funksionon mirë. Siç e dini në vazhdimësi, kërkesë e AKR-së ka qenë krijimi i hapësirës për të vepruar, ngaqë që nga fillimi, arsyeja pse ne jemi në Qeveri, ka qenë se në këtë kohë vendit nuk i janë dashur kriza institucionale. Pra në këtë fazë të shtetndërtimit, Kosova absolutisht nuk është dashur të ketë vakum institucional. Vendit i është dashur stabiliteti dhe AKR-ja sot është në qeveri thjesht dhe vetëm për vendin. AKR është në qeveri, edhe pse me pak hapësirë veprimi, në mënyrë të dinjitetshme dhe e suksesshme në resorët që udhëheq. Mjafton të analizohen dikasteret që udhëheq AKR-ja dhe aty nuk nevojiten fjalë.
Telegrafi: Jeni pjesë e koalicionit me PDK-në, por shpeshherë keni kritikuar Qeverinë e Kosovës, pse? Me çfarë nuk jeni të kënaqur?
Pacolli: Fakti që unë dhe AKR-ja jemi pjesë të kësaj qeverie thjesht dhe vetëm për interesat e vendit, reflekton edhe qasjen time në raport me zhvillimet negative apo jo të mira që kanë ndodhur gjatë kësaj qeverisje. Ju e dini se unë kam qenë dhe jam kritiku më i madh i kësaj qeverisje ashtu, siç e kam mbështetur kryeministrin në veprimet e duhura për vendin, siç është dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Është e qartë se zhvillimi ekonomik ka ngecur dhe kjo qeveri është dashur që nga fillimi të i jep rëndësi zhvillimit ekonomik, çka ne tani pas formatizimit jemi duke ecur me hapa të shpejtë nëpër dikasteret tanë.
Telegrafi: Si e vlerësoni gjendjen e përgjithshme në vend, politike, sociale e ekonomike?
Pacolli: Gjendja fatkeqësisht nuk është e mirë. Qytetarët sot përballen me shumë probleme, ndaj në këtë pikë edhe unë shpeshherë ndoshta kam tingëlluar si kritik i qeverisjes edhe pse kam qenë pjesë e saj. Që nga fillimi unë kam kritikuar formën se si është zhvilluar privatizimi ngase ajo formë e ka dëmtuar rëndë ekonominë e Kosovës, e ka dëmtuar mundësinë që nëpërmjet pronës publike t’i kontribuohet zhvillimit ekonomik të vendit. Me çdo kush jam përpjekur ta pengoj këtë proces, shumë herë bile duke shkuar kundër parimeve të mija, siç ishte rasti me kryetarin e bordit të AKP-së.
Telegrafi: Nëse jeni kaq kritik për gjendjen në Kosovë, atëherë pse jeni pjesë e këtij koalicioni qeverisës?
Pacolli: Po e përsëris prapë se Kosova është dashur të ketë institucione në këtë periudhë të shtetndërtimit dhe nuk na lejohet vakum institucional.
Telegrafi: Si e vlerësoni zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi? Cilat janë përfitimet dhe humbjet e Kosovës nga këto marrëveshje ?
Pacolli: Dialogu siç kam deklaruar që nga fillimi ka qenë shumë i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke pasur parasysh që opsioni i dhunës ka rënë dhe tani mbetet opsioni i dialogut. Është fat, që ne me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare sot dialogojmë. Me dialog zgjidhen problemet. Opsionin e dialogut e kam përmendur që nga 2007, kur ka qenë shumë e vështirë të flitet për të. Madje atëherë unë jam kritikuar pa të drejtë nga disa individë që nuk e duan perspektivën e vendit. Por qytetarët e Kosovës tani e dinë se vetëm me dialog hapet perspektiva e gjerë për Kosovën. Kosova është e përkushtuar që të implementojë këto zotime që ka marrë në dialog, para bashkësisë ndërkombëtare dhe të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe Serbia.
Telegrafi: Zgjedhjet lokale do të mbahen në nëntor, pse ka ngecur reforma zgjedhore dhe kush është përgjegjës?
Pacolli: Përgjegjës për ngecjen e kësaj reforme janë ekskluzivisht dy partitë e mëdha që janë edhe nënshkrues të marrëveshjes. Sipas radhës LDK-ja është dashur të marrë iniciativën për takim, ku do ta përmbyllnim këtë proces, ngase AKR-ja menjëherë pas takimit që e kryesoi doli me raportin e ecurisë dhe përafrimit të qëndrimeve. Unë i rekomandoj PDK-së dhe LDK-së që sa më parë të procedojnë me implementimin e reformave (komisionet kanë bërë punën e vet, kanë shpenzuar mjete buxhetore për këtë dhe këto parti nuk duhet të neglizhojnë me premtimin dhe besimin ndaj qytetarit. Nuk duhet të shkohet kurrsesi në zgjedhjet parlamentare pa reformë.
Telegrafi: Si do të dalë AKR në këto zgjedhje lokale?
Pacolli: Ne jemi parti e profilizuar liberal-demokratike, jemi në përfundim të kuvendeve në të gjitha nëndegët dhe degët e partisë nëpër Kosovë. Kuvendin qendror do ta mbajmë në shtator. AKR-ja iu ka dedikuar dhe i dedikohet vetëm shërbimit ndaj qytetarit dhe ne presim që puna jonë të shpërblehet me votë, në mënyrë që të kemi më shumë forcë politikë për ti ndryshuar gjërat. Nuk kemi abuzuar me paranë publike dhe buxhetin e Kosovës, nuk kemi asnjë përfaqësues institucional që përballet me akuza për keqpërdorime, dhe unë besoj se qytetari këtë do ta vlerësoj më 3 nëntor.
Telegrafi: Keni kritikuar kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa për keqmenaxhim të kryeqytetit? Në cilat segmente drejtoni kritikat, çfarë i mungon Prishtinës?
Pacolli: Unë asgjë tjetër nuk kam thënë përveçse kam transmetuar pritjet dhe shqetësimet e qytetarëve. Prishtina sot përballet me shumë probleme. Me mungesë të ujit të pijshëm, e mundon papastërtia, kaosi në trafik, kaosi urbanistik. Askush nuk merret me detajet nëpër qytet. Pastaj edhe pas 14 vjetësh pas luftës, kryeqyteti nuk ka një plan se si të zhvillohet ekonomikisht duke krijuar kështu edhe vende të punës. Ku është qendra industriale, që normalisht duhet të shërbejë si mundësi për investime nga brenda dhe jashtë, ku është perspektiva e zhvillimit të qytetit nëpër tokat bujqësore nën tymtarët e Obiliqit. Prishtina nuk duhet të trajtohet si pronë e asnjë partie politike. Ajo është e gjithë qytetarëve të Kosovës. Kkryetari Mustafa para disa kohësh, mu drejtua mua duke më thënë se nëse nuk më pëlqen Prishtina të largohem, po mirë, po i përgjigjem unë zotit Mustafa.
Telegrafi: Si do të dukej Prishtina me AKR-në?
Pacolli: AKR-ja Prishtinën do ta trajtojë ndryshe dhe këtu do të ketë një perspektivë krejt tjetër për qytetarët. Asaj do t`ia kthejë dinjitetin e merituar dhe do t’i përmbush kërkesat dhe nevojat elementare të qytetarit. Së pari do të krijojë zonën industriale dhe në formë të partneritetit publiko privat do të tërheq investitorë të huaj, do të menaxhojë krejtësisht ndryshe me mbeturinat, me deponitë e mbeturinave, do të ndalojë çdo zhvillim të qytetit drejt tokave bujqësore dhe pjesëve të kontaminuara. Zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm do të jetë prioriteti i parë. Do të zhvillojë perspektivën e qytetit në drejtim të liqenit të Badovcit dhe Sutjeskës, dhe nga ana tjetër drejt Bunarit të Hajratit dhe Butovcit. Do të krijojë parkun më të madh natyror të qytetit, Germi-Kerpa. Do të fillojë me zhvillimin e infrastrukturës në Prishtinën e re, për të cilën flitet dhe nuk është bërë asgjë nga komuna. Do të krijojë zonën industriale, për gjenerimin e vendeve të punës dhe do të planifikon futjen e Tramvajit nëpër qytet nga xhamia e llapit deri të rrethi i spitalit.
Telegrafi: Zotëri Pacolli të flasim edhe për politikën e jashtme e Kosovës? Çfarë mund të thoni për skandalet e fundit në MPJ?
Pacolli: Dy partitë politike që kanë udhëhequr dhe që aktualisht udhëheqin, dhe njerëzit që punojnë në këtë dikaster, mendoj se janë përgjegjësit kryesor për gjendjen e keqe dhe skandalet e shkaktuara nëpër vendet respektive. Unë besoj se tani këtë të gjithë e kanë kuptuar se në diplomaci duhet të përzgjidhen njerëzit sipas kritereve dhe jo sipas afërsia politike, klanore dhe nepotizmit. Kosova tani është shtet, diplomatët tanë janë përfaqësuesit e shtetit jashtë që duhet të reflektojnë gjithmonë profesionalizëm, urtësi dhe sens njerëzor.
Telegrafi: Shpeshherë ka pasur konkurrencë për meritat e njohjeve nga Ju dhe Ministria e Punëve të Jashtme? Pse?
Pacolli: Sigurisht konkurrenca mes partnerëve nuk është e keqe. Ajo vetëm nxit angazhim për punë dhe rezultate. Nuk ka pasur konkurrencë në kuptimin e plotë të fjalës me Ministrinë e Punëve të Jashtme, përkundrazi, ka mbretëruar gjithmonë respekti njerëzor, por sa i përket punës dikush ka punuar më tepër, dikush më pak dhe meritat i takojnë secilit sipas përmasës së angazhimit. Është me rëndësi që Kosova tani ka arritur të ketë më shumë se gjysmën e botës në krah falë angazhimit të secilit. Në fund të fundit meritat i takojnë Kosovës dhe çdo qytetari.
Telegrafi: Të kthehemi edhe njëherë te gjendja e përgjithshme në vend? Së fundi ka dalë një raport se trazirat sociale mund ta rrezikojnë qeverisjen Thaçi. Si i vlerësoni këto pohime?
Po jam njoftuar me këtë raport. Qytetarët e Kosovës janë koshient për vështirësitë në çuarjen përpara të proceseve, jemi shtet i ri, ende me shumë kundërshtarë në shtetbërje dhe nuk do të ishte e drejtë që të pengohet shtetndërtimi. Qytetarët e Kosovës gjithmonë kanë treguar pjekuri dhe duke iu falënderuar kësaj nuk besoj se një gjë e tillë do të ndodhë. Nga ana tjetër qytetarët e Kosovës kanë plotësisht të drejtë të dënojnë fuqishëm akterët e kësaj gjendje sociale dhe këtë do ta bëjë me votën e tij. Për këtë rekomandoj, që qytetarët kurrë më mos të votojnë me emocione, patriotizmi klasik t’i takojë së kaluarës dhe të fuqizohen patriotët modern, ata që dinën dhe punojnë për perspektiven ekonomike të qytetarëve.
Telegrafi: Të flasim edhe për privatizimin. Si e vlerësoni këtë proces në Kosovë?
Pacolli: E përmenda edhe më lartë që privatizimi ka gjeneruar varfëri në Kosovë. Qytetarit i janë marrë paratë dhe janë dërguar jashtë vendit, kurse në vend është gjeneru varfëri dhe papunësi. Tani me ministrin e Zhvillimit Ekonomik jemi duke punuar me intensitet shumë të madh në këtë drejtim. Është duke u punuar ligji i ri për Trepqën (kjo nuk duhet kurrsesi të shitet apo të privatizohet). Jemi duke punuar në themelimin e Agjencisë kombëtare të participimeve (me këtë asetet që kanë mbetur do të përdoren si instrument për krijimin e partneritetit publiko privat), jemi duke riformuluar perspektivën energjetike dhe reformat tjera. Nga ana tjetër në ministrinë e Tregtisë puna vazhdon dhe shumë shpejt qytetarët do të shohin se imazhi i Kosovës për të bërë biznes do të përmirësohet dukshëm, siç ndodhi edhe vitin e kaluar. Nuk është e rastit që gjithë dikasterët e udhëhequr nga AKR kanë mbështetjen e plotë të miqve tanë ndërkombëtar. Ashtu siç nuk është e rastit që ambasadorja amerikane e klasifikoi këtë ministri si ministri që ka ndërmarrë reforma të suksesshme për vendin.
Telegrafi: Çfarë po ndodh me privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës? Si e vlerësoni procesin e privatizimit të PTK-së? A do të duhej të privatizohej PTK-ja?
Pacolli: Ministria e Zhvillimit Ekonomik asnjë hap nuk do ta bëjë në atë drejtim që shkon në dëm të interesit të Kosovës. MZHE do të veprojë tërësisht sipas ligjit, pa lëshime. Rezultatet për privatizimin e PTK do të shihen shumë shpejt gjithmonë në sintoni me ligjin, dokumentacionin tenderues, pa anashkalim të procedurave ligjore. /Besnike Salihu/
Etiketa: AKR, Behgjet Pacolli, Kosovë