Pacolli për Krasniqin: Ose i dehur, ose i prishtë në shpirt, ose gënjeshtar, ose…


E premte, 2 Maj 2014

Nuk kanë të ndalur akuzat ndërmjet liderit të AKR-së dhe zëvendësministrit të parë të Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Krasniqi të hënën ka kërkuar nga kolegu i tij i Normales, Begjet Pacolli, që të tregojë se si ka arritur të bëhet president i Kosovës. Ai gjithashtu ka dhënë detaje si është tentuar të korruptohet, për ta votuar Pacollin për president.

“Si dje ashtu dhe sot, dyshoj shumë se ti Behgjet, e ke blerë postin e të parit të shtetit. Post që ka pasur degradime të shumta, gjatë një jete tepër të shkurtër të Republikës sonë. Si ia ke arritur ngritjes deri në president, ti e din më se miri. Nuk besoj se do ta kesh kurajën ta tregosh ndonjëherë”, ka thënë ai.

Pacolli është kundërpërgjigjur të njëjtën ditë duke thënë se “do të ishte mirë që organet kompetente të merren me këtë punë”. Ndërkaq sot, në emisionin Argument Plus të RTV21, kreu i AKR-së – duke komentuar akuzat e Krasniqit – thotë se kryeparlamentari “ose ka qenë i dehur, ose është njeri i prishtë në shpirt, ose gënjeshtar”.

“Këto tre mundësi janë”, thotë ai, duke përmendur edhe një “mundësi” tjetër: “I luajtur prej mendve”!

“Unë nuk i kam dërgu askënd. Le të merret vesh me atë njeri kush ka qenë”, tha Pacolli duke komentuar deklaratën e Krasniqit për “personin me porosi të tij”, ndërsa shton se është turp për Krasniqin “që jeton në një shtëpi shumë milionëshe”.

“I ka marrë diku paratë, se në politikë nuk ka hyrë i pasur po si qytetar normal. Sot ai nuk duhet me pasë fytyrë me rrejt, se e dinë mirë se sa i papastër është në shpirtin e tij”, tha Pacolli, duke shtuar se nëse Krasniqi nuk i kërkon falje, ai do të bëjë gati një padi për të.

Pacolli vazhdon duke lëvduar kryetarët e komunave që udhëhiqen nga njerëzit e partisë së tij.

“Mitrovica e Gjakova janë treguar më të suksesshmet në 100 ditët e para të qeverisjes”, thotë ai, duke shtuar se i pari i Mitrovicës do t’i realizojë premtimet “kur t’ia japin tokën për fabrika”!

Për zgjedhjet e ardhshme ai thotë se do të jetë i afërt me atë parti që dëshmon se programi i tij ka vizion për perspektivën e Kosovës.

“Nuk jemi gati për zgjedhje”, thekson Pacolli, i cili tregon se nuk do të bëjë koalicion parazgjedhor me asnjë parti tjetër.

Pacolli tha se Agjencia Kosovare e Privatizimit është organizatë kriminale dhe se “do të rri vertikalisht para deklaratave” të tij.

“Jam shumë vertikal”, tha Pacolli. /Telegrafi/

Etiketa: , ,
Të fundit