E hënë, 10 Mars 2014
Kryetari i Aleancës për Kosovë të Re (AKR), Behgjet Pacolli, në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se hyrja në skenën politike e “Nisma për Kosovën” – partia e formuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës Fatmir Limaj – do t’i jep një dinamikë të re skenës politike kosovare.
Ai nuk dëshiron të flet rreth asaj se a ka qenë vendim i duhur apo jo dalja në skenë e Nismës, duke shtuar se “dyert e bashkëpunimit të AKR-së janë të hapura për të gjithë ata që kanë vullnet dhe dëshirë për ndryshime në vend”.
“Ne nuk konsumojmë urrejtje për asnjë parti dhe për asnjë individ, politikan, për shkak se ky nuk është misioni dhe orientimi ynë në politikë”, ka thënë ai.
I pyetur rreth deklaratës së kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka deklaruar se e AKR-ja nuk është pjesë në kalkulimeve të tij për formimin e qeverisë, zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë: “Secili njeri ka të drejtë ta shpreh opinionin e tij, mirëpo ne jemi të interesuar të bashkëpunojmë me njerëz të sinqertë që kanë qëllime fisnike për ndërtimin e shtetit, jo me ata që shantazhojnë bizneset, duke dëmtuar kështu imazhin e shtetit tonë”.
Pacolli ka theksuar se vazhdimi i jetës së kësaj qeverie, me ritmin të cilën është duke punuar tash, nuk ka kuptim, për shkak se ekzekutivi kosovar, sipas tij, e ka humbur mazhorancën në Kuvendin e Kosovës.
“Largimi i kreut të Kuvendit të Kosovës nga partia më e madhe parlamentare, ka krijuar të një klimë të padurueshme në legjislativin e vendit. Ngërçi i krijuar – jofunksionaliteti i institucioneve – mund të zgjidhet me konsensusin e liderëve politikë. Ata duhet të ulen në tryezë, pa inate dhe pa bërryla të gjejnë një zgjidhje racionale dhe të pranueshme për tejkalimin e kësaj situate”, ka thënë Pacolli për Telegrafin.