E enjte, 29 Maj 2014
Prokuroria e Përgjithshme duhet të hetojë në lidhje e firmëtarët e paktit detar me Greqinë. Pohimi u bë dje nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Jashtëm.
Sipas ministrit, Prokuroria e Përgjithshme ka vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por edhe praktikën e të drejtës ndërkombëtare, dokumente këto mbi bazën e të cilave mund të hetojë ndërkohë që vetë ministria po bën një hetim mbi të gjitha procedurat administrative të ndjekura në këtë rast. Ministri raportoi edhe për problemet e diplomacisë shqiptare.
Marrëveshja e detit
Ministri Bushati deklaroi në Komisionin e Jashtëm se ndërhyrja politike në diplomaci në disa raste ka cenuar dhe mbrojtjen e interesit kombëtar dhe ka krijuar situata aspak të pëlqyeshme me partnerët ndërkombëtarë dhe ata strategjikë në rajon dhe rasti konkret është marrëveshja e detit me Greqinë në kohën që diplomacia shqiptare drejtohej nga Lulzim Basha. “Ministria e Punëve të Jashtme ka ngritur një grup pune për të shqyrtuar gjithë aspektet administrative për këtë negocim në bazë dhe zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe jo në bazë dhe për zbatim të konsideratave personale Ndërkohë që unë besoj se për sa i përket nënshkruesve të kësaj marrëveshje, prokurori i Përgjithshëm ka të gjithë dokumentacionin përkatës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, praktikën e së drejtës ndërkombëtare e cila konsiderohet tërësisht e shkelur nga Gjykata, dhe ka jashtëzakonisht parasysh dhe nenin 210 të Kodit Penal. Pres me qetësi që prokurori i Përgjithshëm të thotë fjalën e tij në bazë dhe për zbatim të vendimit të Gjykata Kushtetuese”, – deklaroi Bushati.
Toponimet
Çështja e toponimeve është drejt zgjidhjes përfundimtare. Ministri sqaroi se: “Kemi rënë dakord me palën greke për dy gjëra, e para që t’i referohemi toponimeve që kanë depozituar si pala greke ashtu dhe Shqipëria në OKB, në gjuhën e njohur ndërkombëtarisht nga OKB-ja dhe e dyta të krijojmë mundësi që ose të adoptojmë këtë format ose një format tjetër që ka të bëjë me ICAO-n, Agjencinë Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, sepse edhe kjo është një praktikë e kollajtë ku vendosen vetëm gërma të njohura ndërkombëtarisht të vendit ku ka lindur personi”,- tha ai. Ministri sqaroi se zbatimi i dakordësisë që do të fillojë nga 1 janari e tutje është përgjegjësi kryesore e Ministrisë së Punëve të Brendshme e cila ka nisur bashkëpunimi dhe me 2 koncesionarët, atë të pasaportave dhe të regjistrit të gjendjes civile për të gjitha elementet që duhen ndryshuar dhe korrektuar në sistemin tonë dhe në pasaporta në mënyrë që 1 janari të gjejë dakordësinë të zbatohet në praktikë.Bushati shtoi se ky element është konsideruar si test në marrëdhëniet dypalëshe për të adresuar më tej dhe çështjet e tjera që janë aty.
Emërimet politike
Kreu i diplomacisë ka ritheksuar dhe njëherë problemet e mëdha të diplomacisë shqiptare në mënyrë të veçantë sa u përket emërimeve politike. “Pas 2005 kemi ministra që për fat të keq kanë dhënë bonuse dhe kemi pasur rritje artificiale të gradave. Nga 182 diplomatë karriere, 105 prej tyre kanë grada të larta, ndërsa të tjerët kanë grada të mesme apo të ulëta”, – deklaroi ai. Sipas Bushatit një tjetër problem është keqpërdorimi i rolit të diplomatit. “Kam në dosjen time njërin që i thotë kryeministrit, “Ç’merresh me Gramoz Ruçin dhe e pinjollët e komunizmit, po ti nuk e duron dot mendimin ndryshe” etj, etj. Ai sot vazhdon të jetë ambasador në një nga vendet më strategjike. Kam po kështu pamflet të një ambasadori tjetër i cili i thotë “I dashur doktor, marrsh nga ditët tona po pse ike”, dhe ai është në një nga vendet më të rëndësishme”, – deklaroi kreu i diplomacisë shqiptare.
Statusi
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, deklaroi dje në Komisionin e Jashtëm se në lidhje me statusin kandidat, qeveria është në pritje të raportit të Komisionit Evropian për këtë çështje. I pyetur nga deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, lidhur me rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, Bushati argumentoi se statusi pikësëpari do të varet nga rekomandimi edhe pse shtoi se për të përbënin shqetësim fjalët e Junker, një prej kandidatëve për kryetar të Parlamentit Evropian, i cili ka thënë se “duke parë rezultatin duhet të jemi të vetëdijshëm se Evropa nuk do të ketë një zgjerim për 4-5 vitet e ardhshme”. Lidhur me rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, ku partitë euroskeptike patën një rritje të ndjeshme, Bushati tha se shqetësim përbën vetëm Franca. “Vizita në Francë e kryeministrit dhe takimi me presidentin Holande besoj se do të jetë një indikator pozitiv”, – tha ai./shekulli/
Etiketa: Ditmir Bushati, Shqipëri