E mërkurë, 24 Gusht 2016
Ramallah – Ministria e Jashtme e Palestinës i ka bërë thirrje SHBA-së që të pengojë “pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në vizitat provokative kundrejt Mesxhid-i Aksa-së”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga kjo ministri thuhet se “Kolonët hebrenj radikalë vazhdojnë vizitat provokative në Mesxhid-i Aksa. Ditën e djeshme me to mori pjesë edhe senatori amerikan i Utah-ut”.
Në deklaratën ku theksohet se nuk është për tu nënvlerësuar numri i qytetarëve amerikanë në mesin e kolonëve hebrenj që hyjnë në këtë mënyrë dhe abuzojnë me shenjtërinë e Mesxhid-i Aksa-së thuhet ndër të tjera se: “Nga Departamenti Amerikan i Shtetit kërkojmë që të mos lejojë pjesëmarrjen e senatorëve në vizitat provokative të kolonëve hebrenj në Mesxhid-i Aksa-në. Këtë e vlerësojmë si ndërhyrje të hapur në punët e brendshme të Palestinës. Kjo situatë nënkupton miratimin e hyrjeve provokative të grupeve në fjalë. Këto grupe në fjalë në të njëjtën kohë synojnë që të ndryshojnë statutin e Mesxhid-i Aksa-së.”
Senatori amerikan i Utah-ut, Mike Lee ditën e djeshme bashkë me një grup të kolonëve hebrenj hyri në Mesxhid-i Aksa.
Mesxhid-i Aksa e cila ndodhet në Jerusalem ka cilësinë si kibleja e parë e muslimanëve. Në kompleksin Aksa shpesh herë përjetohen tensione për shkak se kolonët hebrenj nën mbrojtjen e ushtarëve izraelitë hyjnë në Mesxhid-i Aksa.