E martë, 22 Tetor 2013
– Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias pritet që të vizitojë Tiranën më 4 dhe 5 nëntor, përpara se të lërë edhe postin e Presidentit. Kjo vizitë e tij në Shqipëri po shihet me mjaft optimizëm nga mediat greke, të cilat e konsiderojnë atë si “njeriun e duhur për të shkrirë akujt me Shqipërinë dhe për të nxitur një miqësi mes dy vendeve”.
Sipas gazetarit të së përditshmes “Kathimerini”, Stavros Tzimas-it, Presidenti Papulias gëzon një simpati të veçantë në opinionin publik shqiptar. Në analizën e tij, Tzimas shkruan se Papulias është një ndër grekët më të dashur në Shqipëri, i cili ka ndikuar së tepërmi në afrimin mes dy vendeve që pas shembjes së diktaturës komuniste.
Më tej, Tzimas argumenton se Papulias është njënga njerëzit më të mirë për të drejtuar një fushatë miqësisë mes dy vendeve, në mënyrë që të ulen të gjitha tensionet që kanë shoqëruar dy popujt vitet e fundit. “Papulias do të përçojë një mesazh mjaft të qartë. Greqia nuk përbën kërcënim për Shqipërinë. Greqia është një fqinje e ndershme dhe rruga drejt BE-së do të jetë më e lehtë për shqiptarët nëse pranohet kjo miqësi”, shkruan Tzimas.
Në një artikull tjetër me po të njëjtin autor, “Kathimerini” argumenton edhe çështjen e Ligjit të Luftës. Sipas gazetës, ky ligj, i imponuar nga një dekret mbretëror në vitin 1940, kur Shqipëria u pushtua nga Italia, është shfuqizuar nga kryeministri Andreas Papandreu më 28 gusht të vitit 1987, pas rekomandimit të Papulias-it, i cili ishte në atë kohë ministër i Jashtëm.
“Në prill të vitit 1939, Parlamenti shqiptar, nën pushtimin italian, vendosi që çdo vend, i cili ishte në luftë me Italinë të konsiderohej armik i Shqipërisë. Në vitin 1944, qeveria e Hoxhës anuloi të gjitha vendimet e qeverive të mëparshme në Konferencën e Përmetit. Por pas shembjes së diktaturës, Presidenti Sali Berisha anuloi vendimet e regjimit komunist, duke kthyer në fuqi vendimet e Zogut, pra ato të vitit 1939”, shkruan Tzimas.
Etiketa: Greqia, Karolos Papulias, Shqipëria