E martë, 2 Prill 2019
PRISHTINË – Zyra e Bankës Botërore në Kosovë prezantoi numrin më të ri të Raportit të Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, ku me këtë rast Marco Mantovanelli, drejtor i BB-së në Prishtinë, tha se për shtetet e rajonit, Kosovë, Shqipëri, Serbi, Maqedoni, ka lajme pozitive pasi ky rajon po zhvillohet vitet e fundit.
Mantovanelli tha se ka rritje ekonomike pozitive përfshirë edhe Kosovën me 4.2% (Reuters: 4.4 %), ndërsa gjendja do të vazhdojë me të jetë me qëndrueshmëri stabile.
“Por, krijimi i vendeve të punës është ngadalësuar, nuk ka vende të reja të punës. Në Kosovë ka nevojë për rritje ekonomike që krijojnë vende të punës”, tha Mantovanelli, duke shtuar se kjo rritje ekonomike është shtyrë nga investimet publike, raporton Ksp.
Sipas raportit të BB-së, mbi 17 mijë vende të punës kanë humbur në vitin 2018, ndërsa shkalla e papunësisë është rritur gjatë vitit të kaluar.
Mantovanelli ka kërkuar që të rritet efikasiteti i shpenzimeve në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.
Ai ndër të tjera ka folur edhe për projektin “Kosova e re”, ku tha se mundësia për të financuar projektet me bazë të thëngjillit është bërë i pamundur nga Banka Botërore. Kështu që Banka Botërore, sipas tij, synon mbështetjen e energjisë së ripërtërishme.
Ndërkaq, investimet e huaja kanë shënuar rënie, gjithnjë sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, raporton Koha.
Etiketa: Aktuale, Kosovë, Papunësia